English

Zajmi : Shqipëria Ka Nivele Të Larta Për Mbrojtjen E Viktimave Të Trafikut

TIRANË, 8 Korrik /ATSH- M.Shkurta/- Zv/ministrja e Brendshme, Iva Zajmi, tha sot në konferencën "Trafikimi i qenieve njerëzore në shek.21", parandalimi dhe lufta kundër tij, sfida dhe perspektiva", se Shqipëria ka nivele të larta për mbrojtjen e viktimave të trafikut. Duke e cilësuar trafikimin e qenieve njerëzore, një vepër të rëndë penale, që cënon të drejtat e njeriut, Zajmi tha se në Shqipëri mbrojtja e viktimave të trafikimit është e pakushtëzuar me bashkëpunimin e këtyre të fundit me drejtësinë. Sipas zv/ministres së Brendshme, Shqipëria sot shënon nivele më të larta se disa vende të Rajonit në këtë drejtim, të cilat mbrojtjen e viktimës e kushtëzojnë me bashkëpunimin e tyre me Policinë, pra me denoncimin e trafikantit. Lidhur me mbrojtjen e viktimave të trafikut, Zajmi vuri në dukje se në Shqipëri janë pesë qendra rezidenciale për mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave të trafikimit, njëra prej të cilave, ajo më e madhja, financohet nga qeveria. Ajo vuri në dukje se vetëm gjatë vitit 2009, nga 94 viktimat e trafikimit të strehura në këto qendra, 84 prej tyre kanë mundur të riintegrohen në jetën sociale të vendit, ndërkohë që dy prej tyre po ndjekin shkollën e lartë. Zv.ministrja Zajmi bëri të ditur ngritjen e strukturave në nivel lokal, të cilat njihen si Komitete Rajonale të Luftës Kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore. Ajo tha se në këto struktura janë përfshirë prefektë dhe të zgjedhur vendorë, drejtuesit e Policisë, Prokurorisë, Shërbimit Social, Arsimit, etj, të cilat ndihmojnë në riintegrimin e këtyre viktimave dhe mbrojtjen e personave në vështirësi ekonomike. Sipas saj, prioritet i është dhënë mbrojtjes së fëmijëve që vijnë nga shtresa të ulëta të shoqërisë. Zv/ministrja Zajmi shprehu shqetësim për trafikun e brendshëm, ku më të prekurit sipas saj, janë gratë dhe fëmijët që vijnë nga familje me vështirësi sociale dhe ekonomike, fëmijë që kanë braktisur shkollën, lypin në rrugë dhe si të tillë mund të bëhen më lehtë subjekt i shfrytëzimit. Konferencën e organizuar nga Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me Fondacionin gjerman "Hanns Seidel", e përshëndeti edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila vlerësoi se Shqipëria njihet si vendi me praktikën më të mirë në rajon për ndërtimin dhe vënien në funksionim të bazës së të dhënave për viktimat e trafikut. Sipas kryeparlamentares Topalli, rezultatet e luftës kundër këtij trafiku, janë pjesë e përmbushjes së detyrimeve për liberalizimin e vizave. /s.s./
KOMENTE