English

Ajo çka solli rezoluta e PE

PE ka ngritur për herë të parë zyrtarisht në instancën e seancës plenare dhe me një votë bipartizane problemin e krizës politike në Shqipëri. Amendamenti i parë i votuar me një shumicë të madhe ka nënvizuar se është koha për të gjetur zgjidhjen e krizës politike

Nga Edi Rama

Kryetar i Partisë Socialiste

Sikundër e keni ndjekur dhe keni bërë me dije edhe për opinionin publik, PE dje ka miratuar rezolutën për Shqipërinë. Kjo rezolutë është miratuar duke votuar në të njëjtën kohë një sërë amendamentesh shumë të rëndësishme edhe pse edhe pa to dokumenti i projektit ishte një pasqyrë realiste e gjendjes së vendit.

Më lejoni të shpreh shqetësimin e thellë për çka është rinënvizuar këtë herë në instancën e PE me një votim të të dyja palëve mbi krizën në Shqipëri. PE ka ngritur për herë të parë zyrtarisht në instancën e seancës plenare dhe me një votë bipartizane problemin e krizës politike në Shqipëri. Amendamenti i parë i votuar me një shumicë të madhe ka nënvizuar se është koha për të gjetur zgjidhjen e krizës politike.

Së dyti më lejoni të theksoj se ky parlament zyrtarisht me votimin e djeshëm në një rezolutë që është një platformë e vërtetë për çka duhet të bëjë Shqipëria në rrugën e integrimit, e një analizë e imët e gjendjes së vendit, ka nënvizuar fatin se zgjedhjet duhet të hetohen. Se është koha për të ngritur një komision hetimor dhe për të bërë transparencë duke hetuar materialin elektoral.

Theksoj se Kodi ynë me material elektoral nënkupton gjithçka gjendjet në kutitë e votimit. Këtë çështje mund ta detajojmë më tutje.

Amendamenti i tretë i votuar përsëri me shumicën absolute, nënvizon se është koha që autoritetet shqiptare të garantojnë një reformë të rregullores dhe procedurave parlamentare bazuar në konsensus, si garanci për transparencën e parlamentit, deri në kuptimin buxhetor e financiar dhe për kontrollin parlamentar mbi ekzekutivin e me radhë.

Së katërti PE, të dyja palët, e majta dhe e djathta përshëndesin përpjekjen e të dyja palëve në Shqipëri për liberalizimin e vizave.

Afirmojnë në një amendament të qartë se të gjitha spekulimet dhe broçkullat që thuhen nga propaganda e qeverisë, për gjoja përpjekje apo synime nga ana e opozitës për të penguar procesin e liberalizimit të vizave janë thjeshtë dhe vetëm një vrimë në ujë.

Këto katër amendamente mbi një rezolutë e cila është shteruese për problemet e rënda të vendit, në të cilën ne e gjejmë të plotë pamjen e shqetësimeve tona, përbëjnë një kambanë alarmi për qeverinë shqiptare si fuqia e shumicës në një parlament i cili duhet të marrë përsipër zgjidhjen e krizës politike.

Duhet të ngrejë komisionin hetimor me shumicë dhe drejtimin e opozitës, e të bëjë transparencë duke hetuar edhe materialin elektoral. Duhet të garantojë, e në këtë rast me adresim të qartë tek autoritetet shqiptare, një reformë të rregullores dhe të procedurës parlamentare bazuar në konsensus.

Njëkohësisht duhet të çojë përpara të gjithë procesin e integrimit si një proces që lidhet me gjithçka kjo rezolutë përmban. Duke filluar nga domosdoshmëria që Shqipëria të përmbushë kriterin e Kopenhagenit, që do të thotë kriterin e demokracisë funksionale, si një vend që aspiron të bëhet kandidat në BE.

E me radhë në çështjet e tjera, nga çështja e domosdoshmërisë së mos përsëritjes së të njëjtave zgjedhjeve në të ardhmen, që do të thotë se në mënyrë implicite PE shprehet për zgjedhjet e shkuara si zgjedhje që nuk duhet të përsëriten, tek domosdoshmëria e një reforme për një sistem drejtësie transparent, të paanshëm dhe efikas, të pavarura nga çdo presion apo kontroll politik, si një themel i patjetërsueshëm për shtetin ligjor.

Duke adoptuar një strategji afatgjatë në këtë fushë. Më tutje tek domosdoshmëria për të përmbysur situatën e pandëshkueshmërisë në Shqipëri, duke vendosur një standard tjetër në zbatimin e ligjit. Pastaj për dhënien fund të praktikave të politizimit të administratës publike, të rekrutimeve jo transparente.

Të praktikave të rekrutimeve që u bënë aq të famshme gjatë gjithë periudhës parazgjedhore, të statusit të përkohshme, duke krijuar një shërbim civil të depolitizuar e të bazuar mbi meritën.

Po ashtu rezoluta prek çështjen shumë delikate të medias. Duke vënë theksin tek nevoja për një media profesionale të pavarur dhe plurale qoftë publike, qoftë private, që është në themelin e demokracisë. Pa lënë mënjanë shkallën e gjerë të informalitetit ekonomikë, papunësinë e lartë, tregun punës tërësisht të çrregulluar.

Rritjen e borxheve, të cilat janë në fakt një plagë që po hapet përditë me kosto të pallogaritshme për të nesërmen.

Nuk lihet mënjanë, përkundrazi theksohet në rezolutë, procesi i regjistrimit të pronësisë. Inventari i tokës shtetërore dhe kompensimet e mundshme që vazhdojnë të mos jenë transparente dhe mbeten për tu bërë në mënyrë të drejtë.

Duke e mbyllur me klimën e biznesit në Shqipëri, që konsiderohet nga më të vështira në Ballkanin Perëndimor.

Për të cilin i bëhen thirrje autoriteteve të adresojnë problemet e shumta, që nga procedurat e blerjes së tokës e titujt e pronësisë, deri tek implementimi i kontratave. Tek administrata publike shumë e dobët dhe korrupsioni shumë i lartë.

Nuk mund të kishte rezoluta e PE një pamje më shterruse për të gjitha plagët e vendit sot. Në kushtet kur Shqipëria troket në vendet e BE për tu bërë vend kandidat për anëtarësim në familjen evropiane.

Nuk mund të ketë kambanë më të fortë alarmi sesa kjo rezolutë për zgjidhjen e krizës politike, për hetimin e zgjedhjeve. Përmes një komisioni hetimor me shumicë dhe të drejtuar nga opozita që do të bëjë transparencë të materialit elektoral. Për domosdoshmërinë që autoritet shqiptare të angazhohen për të garantuar një reformë të rregullores dhe të procedurave parlamentare me konsensus.

Për të gjitha këto arsye unë dua ta përsëris apelin për qeverisë dhe kryeministrin:

Është e kotë çdo përpjekje për ta zvarritur çështjen e transparencës. Për ta tkurrur objektin e hetimit të zgjedhjeve dhe për të fituar kohë, me idenë sa naive aq edhe të dëmshme për vendin se ne do të tërhiqemi nga kauza jonë.

Është krejt e kotë që kjo propagandë e shthurur antiopozitare, kundër transparencës, kundër zgjidhjes së arsyeshme për ti dhënë fund krizës të shtrihet deri në insinuatën se opozita do të bojkotojë zgjedhjet e ardhshme. Asnjë herë në asnjë rast ne nuk e kemi thënë një gjë të tillë, e sot përsërisë atë që ne kemi thënë:

Ne do të jemi përballë të vendosur deri në fund që në Shqipëri të fitojë demokracia. Që në Shqipëri liritë dhe të drejtat duke filluar nga ajo e votimit të garantojë njësoj për të gjithë. Që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.

Ne nuk do të lejojmë që të bëhen zgjedhje që të jenë një përsëritje e farsës së 28 qershorit. E një zgjatim i turpshëm i traditës së zgjedhjeve të deformuara e të korruptuara. Këto janë dy koncepte tërësisht të ndryshme.

Ne nuk do të tërhiqemi po do të vazhdojmë. Në rast se edhe kjo kambanë e fortë alarmi për politikën shqiptare, e kryesisht për autoritetet shqiptare, që vjen nga PE nuk do të dëgjohet protesta jonë do të njoh një fazë të re.

Një përshkallëzim të ri me një mbështetje edhe më të madhe sesa mbështetja e jashtëzakonshme që populli opozitar i ka dhënë kauzës së transparencës.

KOMENTE