English

Bler: Pavarësia E Kosovës Është E Drejtë, Është Fakt Dhe Do Të Vazhdojë

PRISHTINË, 9 Korrik /ATSH-Behlul Jashari/.- "Pavarësia e Kosovës ishte një gjë e drejtë, pavarësia e Kosovës është fakt dhe pavarësia e Kosovës do të vazhdojë", tha sot ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Toni Bler, në seancën solemne të Parlamentit kosovar, të mbledhur për nder të tij. Me shumë dashuri, mirënjohje, respekt e entuziazëm Bler është pritur sot në mesditë edhe nga populli kosovar që kishte mbushur sheshet "Skënderbej" e "Nëna Terezë" në qendër të kryeqytetit. "Urime për Republikën e shkëlqyer të Kosovës, më në fund realitet", uroi Toni Bler, para Teatrit Kombëtar, në një tribunë solemne, i rrethuar edhe nga shumë fëmijë, mes të cilëve edhe fëmijtë me emrin Tonibler. Ata janë pagëzuar me atë emër nga prindërit e tyre në shenjë falënderimi e mirënjohje të përjetshme për kryeministrin britanik, Tony Bler, në kohën e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Duke kujtuar atë kohë vendimtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe takimet me kosovarët refugjatë të dëbuar nga vatrat e tyre, Bler theksoi se "është e mrekullueshme të shoh popullin e Kosovës në shtetin e vet". Miku i madh i Kosovës, Tony Bler, i cilësuar edhe hero i lirisë së këtij vendi, mbërriti dje pasdite në Prishtinë, dhe fillimisht u prit nga Kryeministri Hashim Thaçi me nderimet më të larta shtetërore. Bler u takua mbrëmë edhe me Presidentin Fatmir Sejdiu, i cili në një ceremoni të veçantë, i dorëzoi "Medaljen e Artë të Lirisë", me të cilën e ka dekoruar Presidenti historik Ibrahim Rugova, më 12 qershor 2004, në pesëvjetorin e hyjes së NATO-s në Kosovë. Në fjalimin në Parlament, Bler, që në fillim kujtoi një takim me Rugovën në vitin 1998, të vërtetën që ia kishte thënë për Kosovën, lutjen që i kishte bërë për ndihmë dhe premtimin që i kishte dhenë se Britania do të ndihmojë. "Erdhi me një dhuratë të vogël, me një kristal të bardhë dhe të purpurt", tha Bler, duke shtuar se atë kristal e ka mbajtur gjatë gjithë kohës në tavolinën e tij sa ishte kryeminstër. "Dhe, tani e kam në pjesën e suvenireve në shtëpinë time", tregoi Bler. Ish-kryeministri britanik, Tony Bler, u nderua sot edhe nga Universiteti i Prishtinës me titullin "Doktor Honoris Causa". Toni Bler qëndroi në Prishtinë edhe në korrik të vitit 1999, pak kohë pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Media kosovare po i bën jehonë të madhe kësaj vizite të dytë të Bler në Kosovë, të parës në shtetin e pavarur. "Tony Blair, njeriu që bashkë me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, kishin vendosur të lëviznin NATO-n për ta bombarduar Serbinë për çlirimin e Kosovës, ka thënë se kishte vepruar drejt. Madje, ka konsideruar se do të bënin gabim të tmerrshëm po të vepronin ndryshe", theksohet sot në ballinat e gazetave kosovare, të cilat raportojnë gjerësisht për vizitën. "Tash ai ka bërë thirrje që Kosova t'u bëjë ballë sfidave në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pasi tani është shtet dhe, sipas tij, "çështja e statusit nuk duhet shtruar më në tavolinë negocimi", thekson shtypi në raportimet për vizitën e Blair./s.s./
KOMENTE