Bode: Shkurtimet Ne Buxhet Nuk Prekin Investimet Publike Qe Jane Tenderuar
-Ministri i Financave, Ridvan Bode, paraqet ndryshimet ne buxhetin e shtetit per vitin 2010-
TIRANE, 9 Korrik/ATSH-A.Gjonaj/ . - Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi të premten se ndryshimet në buxhetin e shtetit për vitin 2010 nuk prekin investimet publike që tashmë janë tenderuar, përkundrazi janë intensifikuar financimet për to.
Gjatë prezantimit të p/ligjit për rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2010, në Konferencën e Kryetarëve të grupeve parlamentare, ministri Bode tha se "p/ligji për disa ndryshime në ligjin për buxhetin e shtetit për vitin 2010 vjen pas një reflektimi disa mujor nga ana e qeverisë dhe merr në konsideratë nevojën për maturim në politikat që kanë të bëjnë me vitin 2010".
Rishikimi, sipas tij, konsiston në përmirësimin e zërave të miratuar të buxhetit. "Janë dy faktorë që kanë të bëjnë me zhvillimet në ekonominë globale dhe europiane dhe presionet e krizës që ka përfshirë këto vende", tha Bode, të cilat ai i vlerësoi si prezente edhe në vende që nuk patën elementë të brendshëm për të patur një krizë, por që sipas tij, kanë ngadalësuar ritmet e prodhimit.
Duke ritheksuar faktin se vendi ynë është ndër vendet e pakta në Europë që pati rritjen ekonomike më të madhe, Bode tha se moderimi i saj e bënte të domosdoshëm reflektimin e strukturës buxhetore që lidhet me nevojën për të mbatur nën kontroll borxhin e vendit.
Ministri Bode theksoi se pavarësisht efekteve të krizës globale ekonomia shqiptare ka performuar mirë në 5 muajt e parë të këtij viti. Me një rritje të të ardhurave të buxhetit, sipas tij, qeveria mendon që të korrigjojë njëkohësisht të përputhë pritshmërinë për rritjen ekonomike për vitin 2010 në masën e agregatëve financiare.
"Parashikimet për rritjen ekonomike nga 5.5 % që ishte programuar në buxhetin e fillimvitit 2010 do të zbresin në 4.1 %, aq sa na lejojnë agregatët e brendshëm të ekonomisë", deklaroi ai.
Sipas tij, bazuar në këto reflektime (te ardhurat dhe rritja ekonomike) qeveria ka bërë formulimet për ndryshimet në buxhetin 2010. "Për t'i paraprirë kësaj situate për të kaluar në politika më të shtrënguara në janar të vitit 2010 qeveria ka deklaruar ngrirjen e një shumë fondesh prej rreth 30 miliardë lekësh, e cila do të mbetej e tillë për t'u shkurtuar dhe për t'u vendosur në muajin korrik", tha Bode.
Bode u shpreh se të ardhurat në buxhetin e shtetit propozohen të ulen me 27.2 miliardë lekë. "Kjo ulje e të ardhurave në buxhetin e shtetit reflekton ritmet e brendshme të zhvillimit të rritjes ekonomike, të cilat kanë qënë të programuara në mënyrë normale dhe optimiste në buxhetet e mëparshme", tha Bode, duke shtuar se "ne programojmë në buxhetin e rishikuar një rritje të të ardhurave prej 11.4 % më shumë në krahasim me faktin e vitit 2009 nga 20 % që ishte parashikuar në fillim të vitit".
Por, sipas Bodes, gjithsesi kjo përbën një rritje më të lartë se mesatarja 10-vjeçare. "Të ardhurat në buxhetin e shtetit do të jenë 334 miliardë lekë", tha ai, ndërsa shtoi se ulja e të ardhurave në sektorin e tatimeve dhe doganave është 16 miliardë lekë, në sektorin e pushtetit lokal 5.5 miliardë lekë, kontributet e sigurimeve shoqërore ulen me 7.8 miliardë lekë dhe rriten të ardhurat jotatimore me 4 miliardë lekë.
Shpenzimet e buxhetit të shtetit, sipas kreut të financave publike, ulen me 39 miliardë lekë. "Ulja e shpenzimeve nuk prek disa nga prioritetet e deklaruara të qeverisë. Kjo ulje e shpenzimeve na çon në atë që kemi deklaruar se niveli i shpenzimeve publike nuk duhet të jetë më i madh se 1/3 e PBB-së. Ky ka qënë objektivi ynë", deklaroi ministri Bode.
Sipas tij, pas harxhimit të stimujve fiskalë përgjatë vitit 2009, bllokimit të krizës në ekonominë e vendit, pompimit të investimeve publike të rritura, përdorimit masiv të të ardhurave të akumuluara nga privatizimet, mendojmë t'i rikthehemi osteritetit buxhetor, duke mbërritur në atë që kemi shpallur si objektiv, qeverisjen e vogël, ku shpenzimet publike nuk mund të jenë me shumë se 30 % e PBB-së.
"Rritja e taksave do të dëmtonte rëndë ekonominë tonë, sepse do të pakësonte energjinë e biznesit për të investuar", tha Bode. Ai u shpreh se politika që ne kemi shpallur për një reduktim të shpenzimeve buxhetore përbën një realizim të objektivit për një qeverisje të vogël dhe të kontrolluar në raport me biznesin privat.
Në këtë drejtim Bode u shpreh se "nuk prekëm pagat, përkundrazi i rritëm rreth 16 miliardë lekë dhe pensionet edhe këtë vit patën një rritje". Ai theksoi se dhe pjesa e pensioneve në strukturën e buxhetit të shtetit ka ardhur në rritje. "Sikurse të gjitha shërbimet sociale kanë ardhur duke u rritur nga 6.7 % në vitin 2005 janë 8.9 % të PBB së", nënvizoi Bode.
Ato që sipas Bodes, pësojnë një ulje të ndjeshme janë shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes, ku pjesën e uljes e kanë patur shpenzimet qeveritare dhe administrative, të cilat janë shkurtuar me 22 % dhe kjo politike e shkurtimit të shpenzimeve administrative ka prekur të gjitha institucoinet", nënvizoi Bode, duke shtuar se "me disa reforma që kanë të bëjnë me transportin dhe me disa reforma të tjera që janë duke u thelluar, e zbresin në minimumin historik të nivelit të shpenzimeve administrative, në 2.5 % të PBB-së".
Shpenzimet qeveritare zbresin në 0.5 % të PBB-së nga 1.5 % PBB-së që kanë qënë në vitin 2005. Investimet publike, po ashtu, sipas Bodes, pësojnë një rënie. "Vëllimi i shpenzimeve kapitale zvogëlohet rreth 19 miliardë lekë nga 86 miliard të programuara në fillim të vitit", vijoi Bode.
Kreu i financave publike theksoi se ne kemi parashikuar bllokimin e tenderimit të veprave të reja dhe intensifikimin e financimit të veprave ekzistuese. "Në këtë buxhet, megjithë shkurtimet e bera, ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit për veprat në proces i janë shtuar 4.3 miliardë lekë në krahasim me fillimvitin", tha Bode.
Siç u shpreh ai, këto operacione çojnë në një ulje të mëtejshme të defiçitit buxhetor, duke zbritur programin e vitit 2010, nga 4 % të PBB-së të programuar, në 3.3 % të PBB-së, që është niveli më i ulët historik i realizuar ndonjëherë me përjashtim të viteve 2006-2007, ku niveli i defiçitit ka qënë 3.4-3.5 % e PBB-së. /s.s./