English

Dhoma e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, memorandum me USAID

Tiranë, 9 korrik, NOA – Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, në vijim të bashkëpunimit të saj institucional me partnerët ndërkombëtare, ka nënshkruar sot memorandumin e Mirëkuptimit mes saj dhe USAID për implementimin e projektit “Rritje Albania/Zhvillimi i ndërmarrjeve konkurruese”, me kohëzgjatje deri në 17 mars 2014.

Për këtë institucion, memorandumi u nënshkrua nga kryetari i saj, Flamur Hoxha, ndërsa në emër të projektit të USAID, nga Victor Luboyeski, shef i projektit.

Memorandumi i mësipërm është një marrëveshje që zbatohet nga Chemonics International në emër të USAID-it dhe ka për synim qëllimin e dyanshëm për të përforcuar konkurrueshmërinë e anëtarëve të DHKPV në industritë përkatëse.

Projekti parashikon ndihmën e USAID për t’i bërë konkurruese kompanitë shqiptare në drejtim të rritjes së shitjeve dhe punësimit si dhe krijimit të punësimit fitimprurës.

Në këtë kuadër, projekti “Rritje Albania” zhvilloi sot, në një nga mjediset e Hotel Mondial, trajnimin e parë, në kuadrin e një cikli trajnimesh të planifikuara me ndërmarrjet e sektorit të veshjeve të Qarkut të Tiranës.

Trajnimi u ndoq me interes nga përfaqësuesit e kompanive pjesëmarrëse, të cilat u interesuan dhe bënë pyetje për çështje teknike dhe shkencore të kësaj fushe.

Trajnime të tilla janë planifikuar të zhvillohet edhe në disa qytete të tjera të vendit si në Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër, Korçë etj dhe do të zhvillohen deri në përfundim të tremujorit të parë të vitit 2011.

n.e/NOA

KOMENTE