English

Diabeti, shkaku i vdekjes së poetit Morava

Tiranë, 9 korrik, NOA Update – Kishte vite që e mundonte, e duket se këtë verë ajo ka arritur kulmin duke i marrë edhe jetën.

Sëmundja e diabetit mësohet se ka qenë shkaku kryesor i ndarjes nga jeta të poetit të njohur, Zyhdi Morava, e cila ndodhi para pak minutash në mjediset e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në kryeqytet.

Në moshën 64-vjeçare, ai ndahet nga të dashurit e tij, por edhe publiku i cili e adhuronte për krijimtarinë e tij, duke lënë pas mbi 14 libra, romane, vëllime me tregime dhe poezi të botuara pas vitit 1991.

Periudhë kjo, e cila përkonte me hapjen e vendit dhe dhënien e mundësive ndaj poetit disident që kaloi rreth 10 vite burg në Burrel gjatë kohës së komunizmit.

Zyhdi Morava lindi me 14 mars 1946 në fshatin Gracë të Devollit dhe u dënua në vitin 1971 me burgim me akuzën “agjitacione propagandë” si shkak i poezive që shkruante. Ndërsa gjatë periudhës së viteve 1982-1991 punoi si punëtor ndërtimi, punëtor ngarkim-shkarkimi, punëtor në fermë bujqësore dhe roje nate në një stallë kuajsh.

Në prill të vitit 2005 emërohet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, të cilën e drejtoi deri në 7 dhjetor të vitit 2006.

Ndërkaq, para dy vitesh, ai do të implikohej në një incident, aspak të këndshëm, siç ishte ai i kapjes së tij në kufirin italian me Austrinë, me 9 kilogramë kokainë.

Lajmi u konfirmua në atë periudhë nga ANSA, sipas së cilës, shkrimtari e kishte fshehur në dyert e makinës, ndërsa vlera e drogës së sekuestruar, u tha atëherë se kapte shumën prej 4 milionë eurosh.

n.e/NOA

KOMENTE