English

Dule: Klasa Politike Shqiptare Duhet Të Mësojë Nga Bashkëpunimi I Grupimeve Politike Në Pe

- Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, përshëndet rezolutën e votuar nga Parlamenti Europian për Shqipërinë - TIRANË, 9 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, përshëndeti të premten, rezolutën e votuar dje nga Parlamenti Europian për Shqipërinë, të cilën e vlerësoi si "një mbështetje të fuqishme dhe sistematike të europarlamentarëve të 27 vendeve anëtare të BE-së për integrimin e vendit tonë në BE". Duke komentuar miratimin me konsensus të kësaj rezolute prej pothuajse të gjitha grupimeve parlamentare në PE, Dule tha se "klasa politike shqiptare duhet të shikojë se si bashkëpunohet për çështje strategjike, larg karshillëkut banal dhe polarizimit artificial". "Në frymën e një bashkëpunimi të tillë duhet të institucionalizojmë sa më shpejt komisionin hetimor parlamentar që duhet të bëjë transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe me konkluzionet dhe rekomandimet e veta t'i presë rrugën njëherë e mirë edhe në vendin tonë fenomenit të zgjedhjeve të manipuluara dhe të kontestuara", tha Dule. Ai bëri përgjegjës për situatën e krijuar Kryeministrin Sali Berisha, që sipas tij, "refuzoi transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke refuzuar çdo propozim kompromisi që erdhi nga brenda apo jashtë vendit për zgjidhjen e krizës". Parlamenti Europian miratoi dje rezolutën për vazhdimin e procesit të integrimit të Shqipërisë drejt BE-së, përmes së cilës europarlamentarët e PE-së i bëjnë thirrje maxhorancës dhe opozitës t'i japin fund krizës politike, nisur me zgjedhjet e 28 qershorit 2009. PE kërkon që vendi të përmbushë gjatë muajve të ardhshëm pikat e mbetura të udhërrëfyesit, ndërsa i bën thirrje partive politike shqiptare të angazhohen për dialog konstruktiv për ligjin e ri elektoral, i cili duhet të garantojë transparencë të plotë në zgjedhjet e ardhshme. Rezoluta thekson se "funksionimi i plotë i institucioneve, sidomos e Parlamentit, që është shtylla e konsolidimit të sistemit të demokracisë, është një kriter i rëndësishëm politik për integrimin në BE". /s.s./
KOMENTE