English

Durrës: Mot I Kthjellët, Me Erë Të Lehtë Dhe Kushte Të Mira Detare

DURRËS, 9 Korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/. -Situata meteorologjike në rajonin e Durrësit vazhdon të jetë e mirë dhe kushtet detare favorizojnë edhe sot lundrimin e anijeve dhe motopeshkatoreve. Burime zyrtare nga kapiteneria e portit bënë të ditur për ATSH-në se moti i kthjellët, me erë të lehtë nga veriperëndimi, do të shoqërojë situatën sinoptike në këtë rajon, i cili mbrëmjen e kaluar u përfshi për disa orë nga era e fortë, pa ndikim në ndryshimin e kushteve të motit. Temperaturat e ajrit në mesditë do të mbërrijnë kuotat rreth 30 gradë celcius. Tragetet e linjës Bari-Durrës po ankorohen njëri pas tjetrit sipas grafikëve të parashikuar megjithë numrin e madh të udhëtarëve që çdo ditë vijnë nga Italia drejt vendit tonë. Në portin më të madh të vendit gjatë ditës pritet të mbërrijnë edhe tragete e katamaranë të tjerë shtesë, që do të lehtësojnë rikthimin për pushime të mijra bashkëatdhetarëve që punojnë dhe jetojnë në vendet e Evropës Perëndimore, shtuan burimet. Përpunimi i anijeve me mallra dhe kontejnerë dhe trafiku i mjeteve lundruese në portin e Durrësit parashikohet të vazhdojë normalisht. Kushtet detare janë mjaft të favorshme për lundrimin e motopeshkatoreve, të cilat që prej dy javësh dalin masivisht për gjueti në zonën nga grykëderdhja e lumit Seman në jug deri në atë të Bunës në veri, përfunduan burimet e kapitenerisë./s.s./
KOMENTE