English

Durrës: Porti Detar, Në 6 Muaj Eksportet "Mundin" Importet

DURRËS, 9 Korrik/ATSH-Gëzim Kabashi/.- Eksportet "Made in Albania" nga porti detar i Durrrësit në drejtim të vendeve të tjera të rajonit në 6-mujorin e parë të këtij viti janë rritur me gati 2.4 herë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe në portin më të madh të vendit kanë mbërritur më shumë se 1 milionë ton mallra importi, ose 20 për qind më pak se sa në periudhën janar-qershor të vitit 2009. Burime zyrtare nga drejtoria e Autoritetit Portual, bënë të ditur për ATSH-në se gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti anijet tregtare dhe tragetet e linjave kanë ngarkuar afro 560 mijë ton mallra shqiptare të llojeve të ndryshme, ose 308 mijë ton më shumë se sa sasia e mallrave e përpunuar në dalje nga porti detar gjatë së njejtës periudhë të vitit 2009, të cilat më pas janë nisur drejt vendeve të tjera. Sipas burimeve të mësipërme, vetëm kamionët dhe trajlerat e transportuar me tragete drejt porteve të Italisë, kanë eksportuar afro 136 mijë ton mallra, ose 30 mijë ton më shumë se sa periudha janar-qershor e vitit të kaluar. Çimentoja dhe pluhuri klinker për çimenton, të prodhuar në vendin tonë, zenë vendin e parë në listën e mallrave të eksportuar nga porti i Durrësit me rreth 91 mijë ton gjithsej, ndërsa në tabelat e vitit të kaluar ky lloj malli mungonte krejtësisht-thanë burimet portuale, sipas të cilave, në listën e mallrave të eksportuara me anije gjatë këtij viti është shtuar edhe llamarina me më shumë se 66 mijë ton gjithsej. Burimet shtuan se rreth 212 mijë ton mallra janë transportuar drejt vendeve të tjera të ngarkuar në kontejnerë, numri i të cilëve gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti ka arritur në 35.521 ose 4.865 njësi më shumë se sa e njejta periudhë e vitit 2009./s.s./
KOMENTE