E Ardhmja E Kosovës Dhe Shqipërisë Është Në Bashkimin Europian
- Deklaron nga Thethi Presidenti Bamir Topi -
TIRANË, 9 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - E ardhmja e Kosovës dhe e Shqipërisë është në Bashkimin Europian deklaroi sot Presidenti Bamir Topi nga Thethi, ku ndodhet për të marrë pjesë në Konferencën "Zhvillimi Ekonomik i Qëndrueshëm - Paqe Sociale".
Presidenti tha se "edhe në rezolutën e Parlamentit Evropian nuk ka pikë dyshimi që e ardhmja e Kosovës, sikurse dhe e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Kjo flet shumë".
"Kosova është një shtet i cili konsolidohet çdo ditë dhe unë besoj që Gjykata Ndërkombëtare do të japë një verdikt pozitiv për të", theksoi Kreu i Shtetit. "Së pari, gjëja për të cilën nuk kam asnjë lloj dyshimi është kthimi në të kaluarën i Kosovës", nënvizoi kreu i shtetit, në përgjigje të interesimit të gazetarëve mbi të ardhmen e Kosovës dhe Shqipërisë.
Ndërkohë, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve të pranishëm, Presidenti Topi përgëzoi punën e Kuvendit, duke theksuar se "është rritur ndjeshmëria për të përmirësuar metodologjinë e dëgjimit, të transparencës së kandidaturave dhe të vlerësimit".
"Në sajë të përmirësimit të kësaj metodologjie është bërë e mundur që dy kandidaturat, të cilat ishin rrëzuar dy vite më parë, të rivlerësohen nga Kuvendi dhe të marrin votën e Kuvendit. Pra, ky është një moment që unë si President i risjell Kuvendit dy kandidatura që i kam paraqitur një herë dhe ato miratohen", tha Presidenti, duke iu përgjigjur kështu interesimit të medias mbi marrëdhënien midis dy institucioneve.
Ndërsa vlerësoi si një element shumë të rëndësishëm marrjen e shembullit si institucione nga njëri-tjetri', Topi nënvizoi se "në rast se Kuvendi me të drejtë ka rritur rigorozitetin në kontrollin e kandidaturave, kjo vlen dhe për Institucionin e Presidentit, që duhet ta përmirësojë, të vendosë kritere shumë më rigoroze për të gjitha kandidaturat dhe propozimet që vijnë nga pushtetet e tjera".
Kjo, sipas tij, "është historia e pushteteve në një vend demokratik, "check and balance", shikojnë njëri-tjetrin, kontrollojnë njëri-tjetrin dhe punojnë për demokracinë". Lidhur me rrëzimin e dekretit për emërim të një anëtari të Gjykatës së Lartë nga Kuvendi, Topi nënvizoi se "është një kompetencë e institucionit të Kuvendit. Ia njoh plotësisht autoritetin për atë çka i njeh ligji dhe Kushtetuta"./n.m/