Berat, 9 korrik, NOA – Java e 9-të e kinemasë spanjolle, nën emrin “Europa në ekran” do të zbresë nga 12-16 korriku, në mbrëmje, në sheshin e Bibliotekës Publike të qytetit të njëmbinjë dritareve, Beratit.
Ky aktivitet i promovuar nga Ambasada Spanjolle, bëhet një nga transmetuesit më të mirë të kulturës.
Sikundër nënvizon ambasada gjatë katër mbrëmjeve në këtë qytet do të projektohen një seri filmash spanjollë të realizuar në bashkëpunim me vende të BE-së, si Portugalia, Gjermania apo Franca.
Filmat trajtojnë ndryshimet dhe sfidat që sikundër Spanja i ka përballuar edhe Evropa, në 50 vitet e fundit dhe me pesë portete, që reflektojnë aspekte të ndryshme të shoqërisë evropiane sipas vështrimit të kinemasë spanjolle.
Në inaugurimin e aktivitetit “Europa në ekran, do të marrë pjesë edhe vetë ambasadori i Spanjës, Manuel Montobbio, ndërsa në vijim do të shfaqet filmi “Një frankë, 14 peseta” i regjisorit Carlos Iglesias.
Filmi vendoset në Spanjën e 1960, kur dy miq, Martín dhe Marcos, nisen për në Zvicër në kërkim të një pune.
Ata lënë familjet në Spanjë dhe shkojnë drejt një jete të re, në Evropën e progresit dhe të lirive.
Atje do të zbulojnë një mentalitet shumë të ndryshëm, me të cilin duhet të adaptohen duke punuar si mekanikë në një fabrikë të një fshati të vogël industrial.
Me mbërritjen e Pilarit, gruas së Martinit dhe të djalit të tyre Pablo, si dhe të Carmen, që eshtë e fejuara e Markos, përfundon jeta e burrave beqarë, në atë vend plot liri.
Puna vazhdon përditë për Pilarin dhe Martinón, ndërsa djali fillon të shkojë në shkollë e të integrohet.
Me vdekjen e babait të Martinit, Pilar dhe Pablo, mendojnë se atë që kishin kërkuar e kishin arritur tashmë dhe vendosin të kthehen. Por, për çudi të tyre, do të jetë më i vështirë kthimi se sa ikja nga vendlindja.
Filmat që do të projektohen gjatë ditëve të kinemasë spanjolle në Berat, që për të gjithë do të shfaqen falas, janë “Një frangë, 14 peseta” i regjisorit Carlos Iglesias; “Arkat Spanjolle” i regjisorit Alberto Porlan; “Ekspresi i jugut” nga Chema de la Peña dhe Gabriel Velázquez; “Ajo çka di unë për Lolën” nga Javier Rebollo dhe “Heshtja përpara Bahut”, nga Pere Portabella.
mit/NOA