Strasburg, 9 korrik, NOA – Grupi kryesor Progresist në Parlamentin Europian shpreh shpresën që qeveria dhe opozita shqiptare të kuptojnë qartë se kapërcimi i mosmarrëveshjeve politike aktuale është vendimtar për progresin e vendit drejt integrimit europian.
Në një deklaratë për shtyp, Libor Roucek, zv/presidenti Social Demokrat i PE, njëkohësisht edhe raporteri ndihmës për Rezolutën mbi integrimin e Shqipërisë nënvizoi faktin se të gjitha palët politike duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv.
Përndryshe, sipas tij, ekziston një rrezik serioz që përpjekja e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian të pezullohet.
“Ka ardhur koha për të gjetur një zgjidhje për krizën politike aktuale, mbi një bazë që do të mund t’i qëndrojë kohës. Është përgjegjësia e qeverisë të gjejë pa humbur kohë zgjidhje dhe mënyra për të ecur përpara, çka i nevojiten vendit teksa ecën drejt BE”, deklaroi ai.
Duke shtuar se ky grup, përshëndet progresin që është bërë në lidhje me përgatitjet për liberalizimin e vizave dhe i nxisim autoritetet që të punojnë shumë për të përmbushur të gjitha kriteret deri në fund të 2010.
“Ne po presim që në Shqipëri palët politike të gjejnë mundësinë për dialog. Kjo, së bashku me votën e mbi raportin në tërësinë e tij, do të ndihmojë Shqipërinë për të ecur me efikasitet drejt integrimit europian”, theksoi Roucek.
“Progresi i secilit vend drejt Bashkimit Evropian varet nga përpjekjet e tij për t’ju përmbajtur kritereve të Kopenhagenit dhe kushteve të procesit të Stabilizim-Asocimit.
Perspektiva e integrimit në BE është një nxitje për disa reforma”, - përsëriti raporteri socialdemokrat ndihmës për përgatitjen e Rezolutës për integrimin europian të Shqipërisë.
Në fund të deklaratës së tij, Grupi kryesor Progresist në Parlamentin Europian i nxit autoritetet shqiptare të implementojnë sa më shpejt të jetë e mundur një reformë konsensuale të rregullores së parlamentit, çka do të sigurojë jo vetëm një legjislacion me cilësi të lartë të bazuar mbi një ekspertizë të gjerë, por edhe kapacitete të përmirësuara mbikëqyrëse për parlamentin dhe të drejta e përfaqësim të mjaftueshëm për opozitën në komisionet dhe aktivitetet parlamentare.
n.e/NOA