Tiranë, 9 korrik, NOA – Tashmë zona periferike e Kombinatit do të jetë tërësisht e integruar me qendrën e kryeqytetit, falë një investimi nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, që ka mundësuar përfundimin e rikonstruksionit të plotë të rrugës “Hamdi Pepa“, pjesë e territorit të Njësisë Bashkiake nr.6 (përballë ish-Kombinatit Ushqimor).
Gjatë ceremonisë përkatëse, kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duke e cilësuar këtë ndërhyrje si pjesë e një pune tërësore dhe intensive nga ana e institucionit që drejton, u shpreh se “me përfundimin e këtij investimi, është shëruar një tjetër plagë urbane brenda një zone të rëndësishme të Tiranës, siç është periferia e Kombinatit”.
“Ajo tashmë është tërësisht e integruar me qendrën e kryeqytetit dhe ku ne kemi zhvilluar dhe do të vazhdojmë të zhvillojmë një punë rigjeneruese, deri në metrin e fundit katror që kërkon ndërhyrjen tonë. Kjo është pjesë e një pune tërësore, intensive që po bëhet në të gjithë kryeqytetin, për të transformuar territoret brenda hapësirave të blloqeve të banimit apo hapësirave të zhvillimit të sipërmarrjes, të cilat kërkojnë ndërhyrje dhe të cilat e kanë domosdoshmëri integrimin e plotë në infrastrukturën tashmë të tjetërsuar të kryeqytetit”, bëri me dije ai.
Në fund, shtoi se rehabilitimi i këtij aksi lindi si domosdoshmëri, duke qenë se ishin konstatuar dëmtime të shtresave asfaltike, ndërkohë që në pjesën e sipërme ato mungonin krejtësisht.
Në total janë trajtuar 670 metra linearë, sipas të gjitha standardeve të duhura. Rruga ka një gjerësi 6 metra, me trotuare nga të dyja anët. Po ashtu, është ndërhyrë edhe në trajtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të shiut.
Projekti i rrugës ka përfshirë edhe ndërhyrjen në sistemin e ndriçimit, i cili nuk ekzistonte.
n.e/NOA