English

INSTAT: Ekonomia shqiptare është rritur me 2 për qind

Tiranë, 9 korrik, NOA/ Rajmonda Lajthia/ Update - Në një kohë që qeveria po ul shpenzimet, se nuk ka para, në të kundërt të kësaj situate, Instituti i Statistikave deklaron se në tremujorin e parë të këtij viti ekonomia u rrit me 2 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 1.8 përqind krahasuar me tremujoin e fundit të 2009-ës.

Zyrtarisht Instat konfirmoi se ekonomia në tremujorin e parë të vitit 2010 u rrit me 2.0 përqind kundrejt tremujorit të parë të vitit 2009, ndërsa krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2009 u rrit me 1.8 përqind.

Në këtë tremujor degët që kanë patur rritjet më të larta ishin industria, transporti dhe tregtia respektivisht me 27.5 përqind, 11.4 përqind dhe 4.8 përqind krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2009.

Dega që u paraqit me rënie në këtë tremujor krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti të mëparshëm ishte ndërtimi me 21.1 përqind. Krahasuar me tremujorin e katërt 2009 me rritje më të lartë u paraqitën degët, industria me 19.9 përqind dhe transporti me 3.5 përqind, dega post komunikacioni u shfaq me një rënie 9.0 përqind ndërsa dega e ndërtimit me rënie 4.3 përqind. Dega e bujqësisë për këtë tremujor u rrit me 2.3 përqind, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2009 dhe pati një rritje me 0.9 përqind kundrejt tremujorin para-ardhës.

Për një kohë të gjatë, ndërtimi është dega që vijon të shënoje rënie.

Ky treg ka mbetur i bllokuar për shkak të rënies së fuqisë blerëse për apartamente e shoqëruar kjo, edhe me një bllokim të kreditimit nga bankat e nivelit të dytë.

Ndërsa degët që kanë shënuar rritje janë bujqësia, industria si dhe transporti.

Tremujori i fundit i 2009-ës shënoi tregues negativë, pasi ekonomia pësoi rënie, për shkak të efekteve negative, që dha kriza ekonomike globale.

Por, duke iu referuar të dhënave të INSTAT, muajt e parë të vitit tregojnë për një rimëkëmbje ekonomike.

Edhe këtë vit qeveria shqiptare ka parashikuar që do të ketë rritje pozitive të ekonomisë, pavarësisht shkurtimit që po i bëhet buxhetit të shtetit.

r.k/r.n/NOA

KOMENTE