English

Kosove - Kermabon: Pas Incidenteve, Situata Ne Veri Eshte E Qete

PRISHTINË, 9 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- "Pas incidenteve të fundit, situata në pjesën veriore të Kosovës është e qetë", tha sot Shefi i Misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon, pas kthimit në Prishtinë nga pjesëmarrja në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. "Policia e Kosovës po e ruan rendin dhe ligjin në atë pjesë, duke qenë të monitoruar dhe këshilluar nga EULEX-i", shtoi ai. Sipas Kermabon, "EULEX-i, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është shumë i vendosur për të gjetur dhe sjellë para drejtësisë autorin/autorët përgjegjës për incidentin tragjik dhe fatal të 2 korrikut, si dhe incidentin e të shtënave të 5 korrikut". "Nuk ka pasur asnjë marrëveshje lidhur me dërgimin e Njësiteve Speciale të Policisë në këtë zonë dhe ne vazhdojmë të punojmë me të gjitha palët drejt themelimit dhe trajnimit të një Njësiti Special Policorë shumetnik. Është me rëndësi që të gjitha palët e përfshira të përmbahen nga çfarëdo lloj aktiviteti që do të mund të shihej si provokim i mundshëm", tha shefi i EULEX-it. Kermabon tha se, "ekziston një nevojë urgjente për të kthyer funksionalitetin e plotë të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë dhe mënyra më e mirë për të shkuar përpara është gjetja e një zgjidhjeje në koordinim me të gjitha palët relevante". /a.ke/
KOMENTE