Lsi: Rama Të Mos Nëpërkëmbë Ligjet E Vendit
TIRANË, 9 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi sot lidhur me deklaratat e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama mbi Rezolutën e Parlamentit Europian, e cila sipas tij "ishte pasqyrë realiste dhe një këmbanë për Qeverinë për t'i dhënë zgjidhje krizës politike në vend".
Nënkryetari i LSI-së, njëherësh ministër i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në një konferencë për shtyp i bëri thirrje sërisht Edi Rama që në vend që t'i përgjigjet Rezolutës së djeshme shumë të qartë që vjen nga Europa, të mos nëpërkëmbë ligjet e këtij vendi.
"Përfundimisht, Shqipëria, e cila u votua dje në rezolutën e Parlamentit Europian, është Shqipëria e shtetit ligjor, e nenit 178 të propozuar e të miratuar nga vetë Edi Rama, nen të cilit ai duhet t'i bindet si gjithë të tjerët", theksoi Vasili.
Ky ligj, sipas tij, nuk do të ketë hezitim për t'u zbatuar. "Mbi të nuk del dot as kryetari dritëhije dhe i çuditur e i habitur i Bashkisë së Tiranës, por edhe askush tjeter në këtë vend",tha Vasili.
Sipas tij, "Rama po përpiqet të luaje e të shpërdoroje vëmendjen e ndërkombëtareve që është gabim i pafalshëm për të dhe pozicionin politik që ai mban".
Sipas Vasilit, "Ligji zgjedhor në nenin 178 të tij saktëson se materialet zgjedhore janë procesverbalet e votimit, tabelat dhe procesverbalet e numrit të fletëve të votimit dhe jo fletët e votimit. Po ky nen saktëson se me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit, të gjitha fletët e votimit dhe kundrafletët digjen nën mbikqyrjen e KQZ-së".
Parlamenti Europian miratoi dje rezolutën për vazhdimin e proçesit të integrimit të Shqipërisë drejt BE-së, përmes së cilës europarlamentarët e PE-së i bëjnë thirrje maxhorancës dhe opozitës t'i japin fund krizës politike, nisur me zgjedhjet e 28 qershorit.
Po kështu, nënkryetari i LSI-së u ndal dhe në votimin e një dite më parë në Kuvend të deputetëve të LSI-së për kandidaturën e Sokol Çomos për në Gjykatën e Lartë.
"Hipokriti Edi Rama para se të shpifë për votë falco të LSI-së lidhur me votimin e djeshëm për gjyqtarin Çomo, është vendi t'i kërkojë njëherë e përgjithmonë falje publikisht grupit të tij të deputetëve, por edhe komunitetit të gjerë të profesionistëve, të cilët e kanë ndjekur me interes qëndrimin pro profesionalizmit të LSI-së", u shpreh Vasili.
Sipas tij, "qëllimi i vetëm i Edi Ramës, i cili ka qenë plotësisht i informuar për një gjë të tillë (pasi deklarimet kanë qenë publike), ka qenë se atij nuk i intereson aspak as profesionalizmi, as çlirimi i drejtësisë nga kapja, as kualiteti profesional i gjyqtarëve, por përpiqet të krijojë në mënyrë të vazhdueshme alibi të pafundme për të justifikuar një politike destruktive".
Vasili në këtë kontekst, shtoi se ky veprim bëhet "me qëllimin që ky destruktivitet të arrijë shtyrjen e ëndërruar të zgjedhjeve lokale nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës për të shtyrë ca ditë më shumë në karrigen shumë të rëndë nga korrupsoni, që i ka mbyllur dyert hetimeve dhe auditeve të mundshme e për të siguruar edhe ca ditë më shumë, ca përfitime të reja që fillojnë nga lejet e ndërtimit, tek gjobat gjithëfaresh që specialistët e korruptuar të tij kanë ushtruar dhe ushtrojnë përmes 10 viteve në qytetin e Tiranës"./n.m/