English

Lsi: Votimi Pro Sokol Çomos, Vlerësim Për Profesionistët

TIRANE, 9 Korrik/ ATSH-A.Gegvataj/.-Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, e cilësoi sot votimin e një dite më parë në Kuvënd të 4 deputetëve të LSI-së pro kandidaturës për në Gjykatën e Lartë të Sokol Çomos si shenjë të integritetit politik të kësaj force politike. I pyetur nga ATSH për votimin pro të LSI ndaj kësaj kandidature, Rama deklaroi se "deputetët e LSI-së udhëhiqen nga domosdoshmëria për të vlerësuar profesionistët". Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së nënvizoi se "natyrisht qe jemi në koalicion me PD për çështje të rëndësishme që kanë bëjnë me integrimin europian dhe zhvillimin e vëndit, por në ato raste kur gjykojmë se cënohen parimet apo kriteret që kanë të bëjnë më motivimin e profesionistëve , atëherë nuk jemi ushtarët e rreshtit". "Ky qëndrim është i motivuar nga fakti që cilësitë profesionale, integriteti intelektual si dhe kontributet në të mirë të vëndit janë dhe mbeten konstante të pandryshueshme në vlerësimin e secilit kandidat", shtoi ai Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, tha se " LSI është forcë politike me integritet dhe individualitet politik të konsoliduar dhe pikërisht për këtë arsye ne jemi një vlerë e shtuar e koalicionit për integrimin europian të Shqipërisë". Ndërkaq Rama e cilësoi rezolutën e miratuar ditën e djeshme nga Parlamenti Evropian, një "dokument, i cili përcakton edhe sjelljen politike të klasës politike në vënd, e cila duhet të dominohet dhe të udhëhiqet nga interesat e vëndit dhe jo nga interesat e njërit apo tjetrit grup". Gjithashtu Rama nënvizoi se "rezoluta fton aktorët dhe faktorët politikë që të gjejnë mundësinë dhe rrugët, të cilat i çojnë në dialogun politik, tek konsensusi i nevojshëm për të realizuar zgjedhjet më të mira në të mirë të Shqipërisë". /s.s./
KOMENTE