Memorandum Mirëkuptimi Mes Dhomës Kombëtare Të Prodhuesve Të Veshjeve Dhe Usaid-It
TIRANË, 9 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, në vijim të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtare me synim, ofrimin e shërbimeve të nevojshme për anëtarësinë firmosi sot Memorandumin e Mirëkuptimit me USAID, si kontraktor për zbatimin e projektit "Rritje Albania" (zhvillimi i ndërmarrjeve konkurruese).
Për Dhomën Memorandumi u nënshkrua nga kryetari Flamur Hoxha dhe në emër të projektit të USAID, nga Victor Luboyeski, shef i tij.
Memorandumi i mësipërm përfshin një marrëveshje që zbatohet nga Chemonics International në emër të USAID-it dhe ka për synim, qëllimin e dyanshëm për të përforcuar konkurrueshmërinë e anëtarëve të kësaj Dhome në industritë përkatëse. Projekti parashikon ndihmën e USAID për t'i bërë konkurruese kompanitë shqiptare si për rritjen e shitjeve, punësimit dhe krijimit të punësimit fitimprurës.
Projekti "Rritje Albania" zhvilloi sot në një nga mjediset e Hotel Mondial, trajnimin e parë, pjesë e një cikli trainimesh të planifikuara me ndërmarrjet e sektorit të veshjeve të Qarkut të Tiranës, me ekspertin John Haycock me eksperiencë 25 vjeçare në industrinë e prodhimit të veshjeve dhe rreth 15-vjeçare në fushën e trajnimit dhe konsulencës rreth temës: "Rritja e produktivitetit për fitime më të mëdha".
Trainime të tilla janë planifikuar të zhvillohet në disa qytete të tjera të vendit si, në Durrës, Fier, Vlorë, Shkodër, Korçë, deri në përfundim të tremujorit të parë të vitit 2011./a.ke/