English

Meta: Serbia të mos kushtëzojë pjesëmarrjen e të tjerëve në aktivitete rajonale

Dubrovnik, 9 korrik, NOA – Serbia duhet që në të ardhmen të marrë pjesë në takime rajonale pa paragjykuar, sikundër nuk duhet të kushtëzojë pjesëmarrjen e askujt tjetër.

Me këto fjalë, ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas takimit të vendeve të Kartës së Adriatikut në Dubrovnik, lidhur me mospjesëmarrjen e Serbisë në Samitin e Dubrovnikut.

“Gjithë-përfshirja është një parim i domosdoshëm për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal. Integrimi evropian i çdo vendi, përfshirë edhe Serbinë, është një proces që kushtëzon bashkëpunimin me të gjithë fqinjët, me të gjithë vendet e rajonit, dhe ne shpresojmë që në të ardhmen, askush të mos mungojë”, ka argumentuar ai lidhur me një fakt të tillë.

Duke shtuar se “natyrisht na vjen keq për mos-pjesëmarrjen e Serbisë, dhe ne nuk shohim asnjë arsye, pasi integrimi euroatlantik është rruga që garanton jo vetëm stabilitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor, por edhe të ardhmen e tij me prosperitet në Bashkimin Evropian”, tha ai për këtë çështje.

Sipas tij, “nëse përpara disa viteve, kur kjo Kartë u themelua, ishin vetëm 3 vende, sot janë 5 e shpresojmë që në një të ardhme të afërt, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të jenë jo vetëm anëtarë të Kartës së Adriatikut, por shpresojmë, dëshirojmë dhe do bëjmë gjithçka që ne mundemi, që të jenë edhe anëtarë të NATO-s”.

Në fund, tha se “Shqipëria si një vend themelues i Kartës së Adriatikut, dhe si një vend tashmë anëtar i NATO-s, së bashku edhe me Kroacinë, ka insistuar për përfshirjen e Kosovës në këtë Kartë shumë të rëndësishme, për integrimin euroatlantik të të gjithë rajonit tonë, dhe ne jemi shumë të lumtur për pjesëmarrjen dinjitoze të Kosovës në këtë Takim të rëndësishëm të Ministrave të Jashtëm të Kartës së Adriatikut”.

n.e/NOA

KOMENTE