English

Mete, Grup Pune Për Verifikimin E Të Dhënave Në Zonën Naftëmbajtëse Të Visokës

TIRANE, 9 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ka ngritur një grup pune, i cili do të kontrollojë dhe verifikojë të dhënat e publikuara pak ditë më parë në Gazetën Shqiptare, sipas të cilave, kompania kanadeze "Bankers Petroleum", palë në marrëveshjen hidrokarbure me shoqërinë "Albpetrol" sh.a, ka dëmtuar pronën dhe shëndetin e banorëve të zonës në rajonin naftëmbajtës të Visokës. Burime nga METE bene te ditur se, ngritja e këtij grupi pune është bërë me anë të një urdhri, të cilin ministri Prifti e ka firmosur në datën 7 korrik 2010. Anëtarë të tij do të jenë disa funksionarë të ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës, Albpetrol. Sipas urdhrit në fjalë, grupi i punës ka për objekt verifikimin dhe kontrollin e të gjitha të dhënave të publikuara në Gazetën Shqiptare, në datën 1 korrik 2010, në artikullin me titull "Bankers Petroleum, e dëmshme në popullatë". Për të bërë të mundur një gjë të tillë, grupi i punës do të hartojë një plan të detajuar veprimi, duke angazhuar dhe struktura të tjera të specializuara nën varësinë e METE-s. Në urdhrin e firmosur nga ministri Dritan Prifti thuhet se, në rast se nga verifikimet dhe kontrolli rezultojnë shkelje të ligjshmërisë, grupi i punës do të përgatisë materialin kallëzues për ndjekje penale në organin e prokurorisë./s.s./
KOMENTE