English

MTKRS: Homazhe për të respektuar vdekjen e Zyhdi Moravës

Tiranë, 9 korrik NOA - Homazhet për vdekjen e shkrimtarit Zyhdi Morava do të zhvillohen nesër paradite në hollin e Teatrit Kombëtar në orarin 10:00 - 11:00. Pasditen e sotme, shkrimtari Zyhdi Morava ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë.

Zyhdi Morava do të kujtohet nga miqtë, kolegët, të afërmit dhe lexuesit si shkrimtar i talentuar, si njeri që nuk u pajtua me normat dhe barrierat e regjimit komunist, duke lënë gjurmë të thella, në vetëdijen e lexuesveve dhe bashkëkombëseve të tij”, - thuhet në një deklaratë që lëshoi sonte, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Zyhdi Morava lindi në fshatin Grace të Devollit, më 14 mars 1946. Internohet prej Tiranës në fshatin Yrshek për motive politike. Për të njejtat motive dënohet në vitin 1978 me 8 vjet burg. Dënimin e vuajti në Spaç.

Pas përmbysjes së diktaturës komuniste fillon të punojë për krijimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura dhe Shoqatës së ish të përndjekurve politikë. Gjithashtu në këto vite ushtron profesionin e gazetarit dhe shkruan vazhdimisht në gazetën "Sindikalisti",”E vërteta” dhe “Republika”.

Pas vitit 1991 ka botuar shumë libra si në gjininë e poezisë ashtu edhe të prozës.

Në morinë e veprave të tij mund të përmenden novela “Hingëllimat e shiut”, vëllimi me tregime “E papritura” në të cilën spikatin novela “I huaji” dhe tregimet “Kusia e zbrazur” etj, ndërsa në romanet më të njohura janë “ E zhdukura”, “Burri i të dashurës sime” e “Veçanta e një dashurie” roman i cili u vlerësua me çmimin kombëtar “Penda e Argjendtë” akorduar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si romani më i mirë për vitin 2005.

Në vitin 2005 Zyhdi Morava zgjidhet Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, të cilën e drejtoi për gati dy vjet.

Në vitin 2006 Zyhdi Morava dekorohet nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”.

r.n/NOA

KOMENTE