Pacientët, Tashmë Me Kartela Elektronike
- Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, depistimi, hedhja online e te dhenave dhe hartimi i regjistrit elektronik janë sipërmarrje madhore -
TIRANË, 9 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Evidentimi i saktë i numrit të banorëve të regjistruar pranë mjekut të përgjithshëm dhe të familjes në të gjithë Qendrat Shëndetësore të kujdesit parësor, ka qenë një ndërmarrje e rëndësishme e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Ky proces u realizua nëpërmjet regjistrimit aktiv të të gjithë popullatës rezidente pranë qendrave shëndetësore të kujdesit parësor nga ana e mjekëve të familjes, u shpreh sot drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, në një konference për shtyp.
Qëllimi i këtij procesi, sipas saj, ishte evidentimi i saktë i numrit të personave që mbulohen me shërbim shëndetësor bazë, të regjistruar pranë çdo mjeku të përgjithshëm dhe të familjes, sipas Qendrave Shëndetësore të kujdesit parësor; evidentimi i saktë i ngarkesës së sëmundshmërisë kronike të diagnostikuar; evidentimi i saktë i personave rezidentë dhe jo-rezidentë, për të cilët paguhen realisht mjekët e familjes; krijimi i një data base elektronik për popullatën e regjistruar pranë çdo mjeku familje, gjë e cila do të ndihmojë ISKSH në planifikimin më të mirë të buxhetit përkatës dhe përmirësimin e skemës së pagesës për mjekët.
"Nga të dhënat e fundit, falë kësaj sipërmarrje të ISKSH-së, janë regjistruar nga ana e mjekëve të familjes në të gjithë vendin mbi 3.9 milionë njerëz rezidente dhe jorezidentë, bazuar ne deklarimet e popullates", tha Hana.
Procesi i regjistrit elektronik kaloi nëpërmjet dy fazave; regjistrimi i popullates nga ana e mjekeve te familjes me qellim evidentimin e sakte te banoreve ne zonen e tyre te mbulimit dhe evidentimin e banoreve rezidentë dhe jo rezidentë, ndërkohë që faza e dytë, sipas Hanës, ka te beje me hedhjen e skedave te pacientit ne regjistrin elektronik on-line, çka është dhe një nga prioritetet e Qeverisë, I Government edhe ne fushen e shendetesise. Përveçse një nga detyrat e vendosura nga Task Force, e drejtuar nga Kryeministri, kjo ka një rëndësi të madhe për vendimmarrësit dhe do i ndihmojë këta të fundit për zhvillimin e politikave shëndetësore bazuar mbi evidenca të sakta të sëmundshmërisë kronike në çdo rajon.
Hana tha se "aktualisht, numri i personave te regjistruar elektronikisht prane qendrave shendetesore është 730 mijë dhe ne vleresojme se procesi po ecen me ritme te kenaqshme". Sipas saj, përfundimi i ketij proçesi do te ndihmoje ne nje fleksibilitet me te madh ne levizjen e popullates dhe zbatimin e parimit te zgjedhjes se lire te mjekut te familjes./s.s./