English

Pd: Edi Rama Nuk Pranon Rezolutën E Parlamentit Europian

TIRANË, 9 Korrik/ATSH/.- Deputeti i Partisë Demokratike (PD), Osman Metalla deklaroi sot se "Edi Rama nuk e pranon Rezolutën e Parlamentit Europian, të miratuar dje me konsensusin e gjerë të grupeve politike në Strasburg". Duke reaguar pas takimit të sotëm me gazetarët të kryetarit të PS-së, deputeti Metalla tha se, Rama hodhi poshtë në përgjithësi Rezolutën dhe sidomos pikën 6 të saj, sipas së cilës, "marrëveshja kryesore për ngritjen e një komisioni parlamentar hetimor për të hetuar mbi zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 2009-s, kryetari dhe shumica e të cilit të zgjedhur nga opozita dhe me mandat për të hetuar materialet zgjedhore, duhet të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur". Metalla i kujtoi kreut të opozitës se ligji zgjedhor në nenin 178 të tij, që saktëson se materialet zgjedhore janë procesverbalet e votimit, tabelat dhe procesverbalet e numrit të fletëve të votimit dhe jo fletët e votimit. Po ky nen saktëson se me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit, të gjitha fletët e votimit dhe kundrafletët digjen nën mbikqyrjen e KQZ-së. "Kryetari i PS-së është i vetmi politikan në botë, i cili pranon vetëm gjysmën e një neni dhe jo gjysmën tjetër të tij, për shkak se nuk i intereson", tha ai. Deputeti demokrat vërejti se refuzimi i rezolutës së Parlamentit Europian nuk është rasti i parë dhe as fenomen i shkëputur në qëndrimet e Ramës, ndaj mesazheve të institucioneve ndërkombëtare. "Të njëjtën gjë ai ka dëshmuar edhe në rastin e Këshillit të Europës dhe të pëpjekjeve të tjera të faktorit ndërkombëtar për t'i dhënë një zgjidhje situatës politike në Shqipëri", u shpreh Metalla në deklaratën e sotme për shtyp. /a.s//a.ke/
KOMENTE