Pd I Kërkonë Organeve Kompetente Të Hetojë Lidhjet E Ramës Me Kontigjentet Kriminale
TIRANË, 9 Korrik/ATSH/.- Partia Demokratike i kërkoi sot organeve kompetente të hetojnë lidhjet e Edi Ramës me kontigjentet kriminale.
Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, denoncoi heshtjen e Edi Ramës për veprat e bashkëpuntorëve të tij, si dëshmi e implikimit direkt të Ramës në veprimtarinë e tyre kriminale.
"Ka dy ditë që mediat elektronike dhe të shkruara paraqitën pamjen e një depoje armatimi të mbushur me armë të të gjitha llojeve dhe sasi të mëdha eksplozivi, si dhe flamuj të Partisë Socialiste, postera të mitingjeve të fundit, portrete të Edi Ramës. Kjo depo i përkiste një trafikanti armësh dhe banditi në kërkim, Arben Simoni, një nga eksponentët kryesorë në protestat e Partisë Socialiste", thuhet në deklaratën për shtyp të PD-së.
Sipas Mëhillit, "vetëm tre javë më parë u arrestua njëri prej eksponentëve të mitingjeve të Ramës dhe anëtar kryesor i bandës së Zani Çaushit"./m.m/