English

Pezullohet Aktiviteti I 4 Subjekteve Të Prodhimit E Tregtimit Të Ujit Në Tiranë

TIRANE, 9 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Inspektoriati Ushqimor i Tiranës, me pjesëmarrjen edhe të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, pezulloi sot aktivitetin e 4 subjekteve që oprojnë në tregun e prodhimit dhe tregtimit të ujit të amballazhuar në Tiranë. Subjektet jane "Altrade" sh.p.k (Uji Santa Maria), me përfaqesues Mbaresa Kacaj i është pezulluar aktiviteti pasi ka mangësi në procesin teknologjik të larjes së ambalazhit, taposjes dhe etiketimit. "A.Q" sh.p.k (Uji Selita-Shen Meria), me përfaqesues Agron Qoku, i është pezulluar prodhimi për linjen e 1.5 dhe 0.5 litra, pasi makineria e kësaj linje ka pësuar defekt dhe në një gjëndje të tillë nuk garanton produkt të sigurtë. "Eta" sh.p.k (Uji Selita) i është pezulluar prodhimi per 1.5 dhe 0.5 litra, duke qënë se kishte mangësi në procesin teknologjik të prodhimit dhe ambalazhimit dhe "Ris" sh.p.k (Uji Tirana) ku është bërë një kontroll i mëparshëm dhe është konstatuar se kishte një teknologji të mirë, por kishte mangësi në ambientet e punës, të tilla si prishje pllakash dhe lagështi në muret anësore. Duke qënë se subjektit i është lënë detyrë me afat të përcaktuar për rregullimin e mangësive, sot Inspektoriati Ushqimor Tiranë, me pjesëmarrjen edhe të AKU, ka bërë një kontroll mbi plotësimin e këtyre detyrave dhe u konstatua se këto detyra nuk janë plotësuar, duke çuar në pezullimin e përkohshëm deri në marrjen e masave për krijimin e kushteve të përshtatshme për operim normal. Nderkohe që për subjektin "F-Ferra" (Uji Kristal) janë lënë detyra për t'u plotësuar nga ana e kompanisë së prodhimit, ambalazhimit e tregtimit të ujit. Burime nga Autoriteti i Konkurrences dhe inspektoret e ushqimit ne ministrine e Bujqesise, bene te ditur se gjate ketij sezoni veror po ndjekin me përparësi, në bazë të nje plani pune të detajuar, subjektet prodhuese të bukës, ujit si dhe kushtet e tregtimit në Tregun Ushqimor në Tiranë per zbatimin e rregullave te sigurise ushqimore. Sipas AKU-se, në qarkun e Tiranës ushtrojnë aktivitetin 11 subjekte që prodhojnë, ambalazhojnë dhe tregtojnë ujë. 7 nga keto subjekte janë plotësisht të mekanizuara dhe dy prej tyre janë të certifikuara dhe me certifikatat e cilësisë dhe sigurisë ISO dhe HACCAP. Problemi i ujit te ambalazhuar ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes pikë së pari të konsumatorit, por njëkohësisht edhe të medias vizive e të shkruar, e cila e ka ndjekur shumë shpesh çështjen e ndotjes së ujit të ambalazhuar, bejne te ditur burimet nga AKU. Për këtë arsye, Inspektoriati Ushqimor në Tiranë gjatë procesit të kalimit të funksioneve të inspektimit tek AKU, ka ushtruar kontrolle në të gjitha subjektet ambalazhuese të ujit dhe si rezultat janë bërë edhe përmirësime. Megjithatë ajo që vlen për t'u theksuar është se në disa subjekte gjendja vazhdon te jetë e njejtë dhe për mosplotësim të kushteve teknologjike janë marrë masa maksimale për subjektet e mëposhtme të ambalazhimit të ujit. Këto kontrolle do të shërbejnë si një fazë përgatitore gjatë kalimit të funksioneve të inspektimit nga strukturat e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve të qeverisjes vendore, tek Autoriteti Kombëtar i Ushqimit./s.s.
KOMENTE