Pionerët E Filmit Shqiptar Në 80 Vjetorin E Lindjes
TIRANË, 9 Korrik/ ATSH- Suada Daci/- Tre kineastë shqiptarë, të cilët për mëse tre dekada kanë punuar me përkushtim pranë ish- Kinostudios "Shqipëria e Re", u përkujtuan dje në një ceremoni të veçantë, në 80 vjetorin e tyre.
Te diplomuar në Pragë, të tre këta kineastë, Nasi Shamia, Fahri Jukniu, Beqir Vaqarri, filluan punë në vitin 1959 në ish-Kinostudion "Shqipëria e Re", duke vazhduar për shumë kohë punën pranë saj.
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tyre, Forumi i Mbrojtjes së Autorëve Audiovizualë (FMAA) dhe AQSHF organizoi një takim me veteranët e filmit shqiptar, inxhinierin teknolog, Nasi Shamia, inxhinierin e zërit Fahri Jukniun, dhe kameramanin e operatorin Beqir Vaqarri.
I njohur si përpunuesi i parë i filmit me ngjyra në Shqipëri, Nasi Shamia inxhineri teknolog nga Korça, i specializuar për kimi, fillon punën si inxhiner në 20 shkurt të vitit 1959 pranë ish- Kinostudios "Shqipëria e re".
Në një prononcim për ATSH-në, Shamia tregon vështirësitë e hasura gjatë punës në Kinostudio, aparaturat e para, si dhe punën për realizimin e filmit shqiptar me ngjyra.
"Në vitin 1964 u realizua filmi i parë me ngjyra "Gurët dekorativë" i regjisorit Dhimitër Anagnosti, me makineritë e bardh e zi që ne kishim", thotë Shamia.
Sipas tij, "vështirësitë ishin shumë të mëdha sepse duheshin makineritë për ngjyra, dhe ne ndaluam proçesin e bardhë e zisë, dhe për një muaj u morëm me këtë punë për të realizuar me sukses filmin e Anagnostit".
Ai tregon se "më pas u përsos teknologjia e filmit me ngjyra sepse erdhën shumë makineri të reja, duke vijuar puna për filma të tjerë".
Duke folur për filmin shqiptar në periudhën para viteve 90, ai shprehet se "filmi shqiptar deri në vitet 1990 synonte më tepër anën edukative dhe politike. Përfundimi i filmit do të bëhej ashtu sic dëshironte Komiteti Qëndror i Partisë dhe jo siç e mendonte regjizori", thotë Shamia.
"Pas viteve u liberalizua gjithçka, Kinostudio u prish dhe mbeti jashtë teknologjisë së ditës, sepse u fut dixhitali që e errësoi gjithçka", tha inxhineri Shamia.
Gjatë karrierës së gjatë në kinematografi, Shamia nënvizon edhe vështirësitë e hasuara në punë. "Një nga vështirësitë e punës ishte xhirimi i Kongreseve, sepse kur mungonte një nga delegatët ne nuk dinim si të vepronim, dhe mundoheshim me ndonjë fotografi që të realizonim praninë e tyre".
Por Nasi Shamia ndihet i lumtur për punën e zhvilluar në Kinostudio. "Kam realizuar të gjithë filmat me ngjyra që nga viit 1965 deri në 1990", thotë ai, duke shtuar se "ndoshta puna ime mund të mos të duket, por të gjithë filmat, qoftë dokumentarë, qoftë artistikë i kam kaluar të gjithë një për në dorë".
I madh ka qënë edhe kontributi i dy kineastëve të tjerë, Fahri Jukniut dhe Beqir Vaqarrit. Inxhinieri dhe operatori i zërit, Fahri Jukniu dhanë një ndihmesë të madhe në përmirësimin e gjendjes teknike të kinemave, të aparaturave teknike, etj.
Jukniu punoi si operator zëri në filmat dokumentarë fillimisht e më pas edhe në filmin artistik, duke filluar nga filmi "Krevati i perandorit", "Radiostacioni", "Vajza me kordele të kuqe", "Duaje emrin tënd", "Rruga e lirisë", "Ëndërr për një karrige", "Asgjë nuk harrohet", etj.
Ndërsa operatori Beqir Vaqarri filloi punë në 2 shkurt 1959 dhe u mor fillimisht me ndriçimin gjatë xhirimit të filmave, punoi në laboratorin fotografik, asistent operator, etj.
Në fillim të viteve 80-të, pas gjithë kësaj përvoje, kaloi pranë sektorit të filmit vizatimor si operator, duke xhiruar shumë filma vizatimorë si "Pipiruku pret dy miq", "Qershiza mendjelehtë", "Zogu pushbardhë", "Perandoria me kokë poshtë", "Orët e Gentit", "Burri është burrë", etj.
Gjatë aktivitetit të djeshëm u shfaq edhe një dokumentar me pamje filmike nga karriera e gjatë e tre pionierëve të filmit shqiptar./s.s./