Vlorë, 9 korrik, NOA - Përfaqësues të ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, e përfaqësues të PNUD-it dhe partnerë socialë kanë diskutuar sot mbi zbatimin e ligjit kundër diskriminimit.
Sipas ekspertëve të PNUD-it, gjatë viteve të fundit Shqipëria ka rritur përpjekjet në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe në luftën kundër diskriminimit.
Një hap i rëndësishëm në kuadrin ligjor për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të njeriut ishte aprovimi i Ligjit në shkurt të këtij viti i ligjit për mbrojtjen kundër diskriminimit.
Sipas PNUD-it, ligji i ri rregullon zbatimin dhe respektimin e parimit të barazisë në lidhje me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzëninë, përkatësinë prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, gjendjen shëndetësore, predispozicione gjenetike, aftësinë e kufizuar, përkatësinë në një grup të veçantë, ose me çdo shkak tjetër. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka marrë përsipër përgjegjësi të veçanta në zbatimin e këtij ligji.
Kjo sipas organizatorëve të takimit është vënë re në në riorganizimin e saj, duke shtuar implementimin e këtij ligji, si pjesë e detyrave të Departamentit të Shanseve dhe Mundësive të Barabarta.
PNUD, si një partner i fuqishëm në fushën e përfshirjes sociale, mundësive të barabarta dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut ka theksuar në këtë takim mbi zbatimin e ligjit kundër diskriminimit se do të mbështesë rritjen e kapaciteteve të punonjësve të ministrisë se PÇSSHB-së, në këtë drejtim.
mit/NOA