English

Politika e dyerve të hapura

Ne do të bëjmë të pamundurën për të mbështetur edhe më tej politikën tejet të suksesshme të dyerve të hapura të Aleancës, për të mbajtur dyert e saj të hapura për të gjitha vendet e rajonit tonë në të ardhmen

Nga Ilir Meta*

Zv.Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme

Evropa Juglindore dhe Integrimi Euro-Atlantik

Ndryshimet jashtëzakonisht të mëdha që kemi realizuar deri tani nuk kanë qenë as të lehta dhe as të thjeshta, por ne nuk kemi qenë vetëm. Me ndihmën e partnerëve dhe aleatëve tanë, rajoni ynë ka bërë progres të dukshëm dhe ajo çka është më e rëndësishme, aspirata jonë për integrimin në BE dhe në NATO ka ndihmuar tashmë shumë prej nesh për të ndryshuar mënyrën e ndërveprimit si dhe marrëdhëniet tona në punën e përditshme.

Unë besoj se kjo Kartë përbën një mekanizëm të dobishëm për përpjekjet për anëtarësim në NATO dhe bashkëpunimin mes vendeve anëtare të Kartës së Partneritetit, për konsolidimin e ndryshimeve shumë të mëdha që ka përjetuar rajoni ynë, duke patur si objektiv përmirësimin e imazhit dhe rrugën e pakthyeshme të përparimit për vendet tona.

Ne konstatojmë me kënaqësi se pas marrjes së Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP), Mali i Zi ka ecur përpara me vendosmëri lidhur me përgatitjen e Programit të tij të Parë Vjetor në kuadrin e MAP-it; ne shprehim gatishmërinë tonë për të ndihmuar Malin e Zi në aspektet politike dhe teknike lidhur me këtë dokument.

Duke përgëzuar sinqerisht Bosnje-Hercegovinën për pranimin e saj në MAP, çka është e një rëndësie shumë të madhe për përpjekjet e saj të intensifikuara drejt anëtarësimit në NATO, ne inkurajojmë mënjanimin e menjëhershëm të pengesave të mbetura, me synim paraqitjen sa më të shpejtë të Programit të Parë Vjetor në kuadrin e MAP-it

Thënë këtë, ne jeni të vetëdijshëm se rruga që ka përpara Bosnje–Hercegovina është e mbushur me sfida, por dhe me mundësi për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt për shtetasit e saj dhe për rajonin në tërësi. Ne përsërisim mbështetjen tonë të fuqishme për Bosnje-Hercegovinën në përpjekjet e saj për anëtarësim në NATO.

Zbatimi i reformave përkatëse nga Maqedonia dhe ndihmesa e saj e rëndësishme për operacionet e NATOS tregon qartë se anëtarësimi në NATO është i mirë-mbështetur dhe i merituar.

Në këtë kuadër, ne përsërisim përkushtimin dhe mbështetjen tonë për të parë fqinjët tanë - Republikën e Maqedonisë me të cilën ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera, që të zërë sa më shpejt vendin e saj në tryezën e Aleancës, si anëtar me të drejta të plota.

Në këtë pikë, ne konstatojmë me kënaqësi se politika e dyerve të hapura sigurisht që do të përfshihet në mënyrë të drejtë në Konceptin e ri strategjik të NATO-s, i cili pritet të miratohet në Samitin e NATO-s, Nëntorin e ardhshëm në Portugali.

Ne do të bëjmë të pamundurën për të mbështetur edhe më tej politikën tejet të suksesshme të dyerve të hapura të Aleancës, për të mbajtur dyert e saj të hapura për të gjitha vendet e rajonit tonë në të ardhmen.

Kjo është veçanërisht e dobishme për dy vende të rajonit tonë: Kosovën dhe Serbinë, integrimi euroatlantik i të cilave është vendimtar për stabilitetin dhe begatinë e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë në të ardhmen.

Ftesa për vendet jo-anëtare të Kartës nga rajoni për të marrë pjesë në punimet e takimit tonë përfaqëson një pjesë të rëndësishme të traditës së Kartës sonë, traditë të cilën duhet të ruajmë edhe në të ardhmen.

Kontributi i Përbashkët në Operacionet në Mbështetje të Procesit të Paqes

Ne mbështesim fuqimisht angazhimin e përgjithshëm të anëtarëve të Kartës së Adriatikut në përpjekjet ndërkombëtare për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe në veçanti për operacionin e drejtuar nga NATO në Afganistan.

Në përputhje me zotimet tona, së shpejti ne do të dërgojmë në Afganistan një njësi shtesë me 85 ushtarakë, me personel mjekësor dhe personel trajnimi për t’iu bashkuar operacionit ISAF.

Në këtë kontekst, ne përshëndesim kontributet shtesë nga të gjithë vendet pjesëmarrëse në operacionin ISAF, përfshirë përpjekjet e përbashkëta të vendeve të A5, duke i afruar kështu të gjitha vendet tona drejt standardeve të NATO-s dhe duke kontribuar në bashkëpunimin e gjithanshëm dhe për realizimin e objektivave themelore të kësaj nisme të suksesshme.

Duke i kushtuar rëndësi të madhe kontributit tonë të përbashkët në operacionet e paqes, vitin e kaluar ne njoftuam se mund të ofronim 2 – 3 ekspertë të minave anti- njerëzore dhe një staf mjekësor me deri në 4 vetë, për të shërbyer në ekipet e ardhshme përkatëse të vendeve të Adriatikut, në kuadrin e ISAF-it në Afganistan. Ne jemi sërish në gjendje ta japim këtë kontribut në ekipin e ardhshëm të përbashkët të vendeve tona.

Duke konstatuar dhe duke vlerësuar me shumë interes idetë e shprehura për një ekip të mundshëm të përbashkët të trajnerëve ushtarakë të Kartës së Adriatikut, ne shprehim gatishmërinë tonë për të shqyrtuar çdo propozim konkret në këtë drejtim.

(*) Fjala e mbajtur në Takimin e Komisionit të Kartës së Partneritetit të Adriatikut, Dubrovnik, 9 Korrik 2010

KOMENTE