English

Pranimet Në Universitet- Tarifat Nuk Pësojnë Rritje

TIRANË, 9 Korrik/ATSH/- Kostoja e ndjekjes së studimeve të larta edhe për vitin e ardhshëm akademik, që do të çelet gjatë muajit tetor, nuk do të pësojë rritje të mëtejshme. Qeveria, përveç kuotave të pranimit, ka miratuar edhe listën e tarifave të studimit për secilin nga fakultetet. Studimet pranë fakulteteve përbërëse të Universitetit të Tiranës do të kushtojnë nga 15 mijë lekë për degët e Shkencave të Natyrës deri në 30 mijë lekë që do të jenë kostot më të larta për degën e Drejtësisë, degët e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe degët e Fakultetit të Mjekësisë. Po kaq do të jetë edhe kostoja e studimit për programet e Universitetit Politeknik, ku tarifa më e lartë shkon për studentët e degës së arkitekturës. Edhe për vitin e ardhshëm akademik është menduar që për kategori të caktuara të rimbursohet tarifa e shkollimit. Sipas vendimit të marrë, përcaktohet se të gjithë kandidatët që do të fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi të ciklit të parë, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2010-2011, dhe që vijnë nga këto shtresa sociale në nevojë përfitojnë rimbursim të tarifës së shkollimit. Ndërsa studentët përsëritës të vitit do t'i nënshtrohen tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik, në të cilin vijojnë studimet. Gara e konkurrimit për pranimet në universitet do të çelet pas datës 20 korrik, kohë në të cilën do të dalë në qarkullim edhe formulari A2, në të cilin maturantët do të listojnë 10 preferencat ku duan të vijojnë studimet e larta. Po ashtu, brenda këtij harku kohor pritet të jenë publikuar edhe rezultatet e dy provimeve me zgjedhje që janë zhvilluar në mbyllje të muajit qershor. Pas datës 22 korrik, maturantët do të aplikojnë formularin në të cilin do të rendisin edhe degët për ndjekjen e fakultetit. Këshillohet që këta formularë të mos plotësohen menjëherë, por vetëm pasi maturanti të ketë përllogaritur vetë rezultatin final të dalë nga formula tradicionale e maturës. Ekspertët e arsimit pohojnë se maturantët duhet të bëjnë kujdes në përzgjedhjen e këtyre degëve, pasi aty qëndron sekreti i të qenit fitues në bazë të pikëve që grumbullojnë. Këtë vit akademik do të pranohen më shumë se 23 mijë studentë të rinj./e.gj/s.s./
KOMENTE