English

Presidenti Topi Përshëndet Konferencën "Zhvillimi Ekonomik I Qendrueshëm-Paqe Sociale" Ne Thethin Verior

TIRANË, 9 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Presidenti Bamir Topi përshëndeti sot Konferencën "Zhvillimi Ekonomik i Qëndrueshëm - Paqe Sociale", e organizuar në Theth, zonë malore turistike në Malësinë e Madhe në veri të vendit. Zyra e Shtypit e Presidencës bëri të ditur se në Konferencën e ideuar në formë Kuvendi dhe e organizuar nën kujdesin e Presidentit Topi, ishin zv/ministrja e Turizmit, Suzana Turku, funksionarë të lartë të pushtetit lokal dhe rajonal, përfaqësues diplomatikë të akredituar në Shqipëri si, Ambasadori gjerman, Bernard Borhard, Kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ambasadori Lohan, përfaqësues të donatorëve të vendeve mike në Shqipëri, si dhe banorë të kësaj krahine. Gjatë qëndrimit në Theth, Presidenti Topi vizitoi "Kullën e Ngujimit", e cila përfaqëson simbolikisht një traditë anakronike të gjakmarrjes dhe tashmë të lënë pas në vendin tonë, si dhe të tjera vende piktoreske, për të cilat Thethi është i shquar si një ndër zonat më të bukura turistike të vendit tonë. Vitet e fundit banorët e kësaj zone po zhvillojnë me sukses turizimin familjar me mbështetjen e GTZ-së, duke krijuar një model përfaqësues, çka po tërheq përherë dhe më shumë turistë vendas dhe të huaj. /a.ke/
KOMENTE