Theth, 9 korrik, NOA – Një ditë pas rrëzimit në parlament të kandidaturës së miratuar prej tij, për anëtar të GJL-së, Sokol Çomo, Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka vlerësuar sot nga pika turistike malore e Thethit, metodologjinë e kuvendit në miratimin më të fundit me votim të hapur të dekreteve të tij për anëtarët e Gjykatës së lartë.
Presidenti e bëri këtë deklaratë gjatë konferencës “Zhvillimi Ekonomik i Qëndrueshëm-Paqe Sociale” që po mbahet në pikën turistike të Thethit.
Presidenti nuk ka dashur të komentojë kompetencat e kuvendit në ndryshimin e rregullores pikërisht për të votuar në mënyrë nominale kandidaturat e dërguara prej tij, por nënvizoi rishtas vlerësimin e tij metodologjinë e përdorur së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë, duke theksuar se përmes kësaj metodologjie mund të marrë mësim edhe institucioni i Presidentit, në mënyrë që të shqyrtojë më me rigorozitet kandidaturat që vijnë nga pushtetet e tjera.
Duke i lënë me kaq deklaratat politike, presidenti e cilësoi Thethin si kartolinën më të bukur të veriut të vendit, duke nënvizuar se me ardhjen e tij në këtë pikë ka zbuluar mrekullinë shqiptare.
Gjatë konferencës presidenti Topi nënvizoi se projektet për Thethin do të shtohen në të ardhmen, duke evidentuar në këtë kontekst se “Bjeshkët e Namuna”, kjo zonë aq e veçantë mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi do të kthehet në një projekt turistik madhor për të tre vendet e rajonit të Ballkanit.
Në këtë kontekst, ka qenë ambasadori gjerman Borchardt, i cili ka publikuar edhe projektin rajonal mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës në Bjeshkët e Namuna.
mit/NOA