English

Rama: Rezoluta E Pe-Së, Pasqyrë Realiste E Situatës Politike Në Shqipëri

TIRANË, 9 Korrik/ATSH-Suada Daci/.- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vlerësoi sot se "Rezoluta e Parlamentit Europian ishte një pasqyrë realiste dhe një këmbanë për qeverinë për t'i dhënë zgjidhje krizës politike në vend". Gjatë bashkëbisedimit të përjavshëm me mediat, kryesocialisti Rama theksoi se "Parlamenti Europian për herë të parë ka mbajtur një seancë të posaçme për krizën politike në Shqipëri" . Duke iu referuar Rezolutës, Rama tha se në amendamentin e parë, PE ka nënvizuar se është koha për të gjetur një zgjidhje për krizën politike, duke shtuar se "në amendamentin e dytë është cilësuar se zgjedhjet duhet të hetohen dhe se duhet të ngrihet një komision hetimor për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit". Sipas tij, "rezoluta e PE-së përshendeti edhe përpjekjen e të dyja partive politike për liberalizimin e vizave, dhe propaganda e qeverisë për pengimin e këtij proçesi nga ana e opozitës është një vrimë në ujë". Kreu i Selisë Rozë vuri në dukje se "ne nuk tërhiqemi nga kauza jonë për transparencë të zgjedhjeve, dhe nëse kjo situatë nuk zgjidhet, protesta jonë do të njohë një fazë të re dhe një përshkallëzim me mbështetjen e popullit opozitar". Parlamenti Europian miratoi dje rezolutën për vazhdimin e proçesit të integrimit të Shqipërisë drejt BE-së, përmes së cilës europarlamentarët e PE-së i bëjnë thirrje maxhorancës dhe opozitës t'i japin fund krizës politike, nisur me zgjedhjet e 28 qershorit 2009./s.s./
KOMENTE