English

Sarandë: Festivali I Bandave Starton Nesër Në Qytetin Jugor

SARANDË, 9 Korrik/ATSH-Telnis Skuqi/ - Festivali i Orkestrave Fymore, një ndër veprimtaritë më të veçanta, që prej 5 vjetësh që shoqëron sezonin veror në Sarandë, në jug të vendit, do të nisë në qytetin e turizmit nga 10-15 korrik. Organizatorët e tij prezantuan sot, në një konferencë për shtyp, dimensionin e kësaj veprimtarie, ndërkohë që nënvizuan se risi të tjera do ta shoqërojnë atë gjatë ditëve në vazhdim. Edmond Doko, dirigjent, drejtor artistik i festivalit, tha për ATSH-në, se orkestrat frymore janë pjesë e rëndësishme e traditës kulturore shqiptare dhe performimi i tyre në një festival përbën një kontribut në këtë fushë, për evidentimin, ruajtjen dhe zhvillimin e saj. "Nuk mund ta mendonim në fillimet e kësaj sipërmarrjeje artistike, 5 vjet më parë, kur përgatitëm edicionin e parë, se festivali ynë do të arrinte në përmasa të tilla ndërkombëtare", pohon Doko, duke nënvizuar se edicionin e sivjetshëm është konfirmuar prania e 20 trupave shqiptare e të huaja, mes të cilave edhe një trupë nga Italia, që janë arbëreshë, si dhe nga Kosova. Doko tregon se gjatë ditëve të festivalit, "së bashku me pushtetin vendor, jemi të angazhuar për realizimin e një projekti gjithëveror, për aktivitete të vogla gjatë gjithë kohës se sezonit turistik". Sipas tij, dy apo tre herë në javë grupe të vogla, shqiptare apo të huaja, do të japin shfaqje në shetitore apo mjedise të tjera të qytetit. /s.s./
KOMENTE