English

Sarandë: Ngrihet Shtabi I Menaxhimit Për Sezonin Veror

SARANDË, 9 Korrik/ATSH-Telnis Skuqi/ - Mbarëvajtja e sezonit turistik dhe krijimi i një shtabi lokal për mbarëvajtjen ishte në qendër të takimit të organizuar sot në nënprefekturën e Sarandës. Nënprefekti i Sarandës, Gjergji Mano tha se synojmë në periudhën e verës bashkërendimin e punës së institucioneve për mbarëvajtjen e sezonit, ndërsa barra kryesore bie më njësitë vendore të Bashkisë së Sarandës dhe komunave të Lukovës dhe Ksamilit Funksionimi i rojeve bregdetare për sigurimin e jetës së pushuesve nëpër plazhe duhet të nisë urgjenisht, tha Mano. "Edhe pse nga Bashkia e Sarandës janë dhënë rreth 7.8 milionë lekë për rojet bregdetare, ende nuk ka nisur së funksionuari, pasi duhen ngritur kullat", pohoi ai. Ilir Gjoçi, shefi i Policisë Kufitare në Sarandë, kërkoi që autoritetet vendore të përcaktojnë vijën kufizuese nga 100 - 300 m linear për funksionimin e motorëve të ujit. "Pa u përcaktuar kufizimi i territorit në det nuk do të lejohet dalja e jetskive", tha ai, duke shtuar se në qytezën e Ksamilit është ngritur një patrullë policie për të ndjekur normalitetin e funksionimit të motorrëve të ujit. Kryebashkiaku i Sarandës, Edmond Gjoka kërkoi bashkëpunim me Policinë e Shtetit që pushuesit në ndihen të sigurtë. Për shmangien e ndotjes akustike, Besim Palamani, shef i Komisariatit të Sarandës, kërkoi bashkërendim të punës me bashkinë e komunat, Ksamil e Lukovë për të përcaktuar një limit kohor për lokalet që përdorin muzikë. Ndërsa Jorgo Mërtiri, shefi i Higjenës kërkoi përcaktimin e pikave të grumbullimit të plehrave për tërheqjen e tyre në qytet edhe në komuna. /e.ç.//n.m/
KOMENTE