Shba - Clinton: Deklarata E Okb-Së Për Incidentin Është Një Paralajmërim Për Korenë E Veriut
UASHINGTON, 9 korrik /ATSH-AFP/ - Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, deklaroi sot se "dënimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për incidentin me një anije luftarake koreanoveriore është një paralajmërim për sjelljen provokuese të Koresë së Veriut".
Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dënoi sot me një deklaratë unanime sulmin kundër anijes luftarake të Koresë së Jugut 'Cheochan' që implikon drejtpërdrejt Korenë e Veriut.
Një hetim ndërkombëtar për incidentin arriti në konkluzionin se anija koreanojugore u fundos nga një silur i lëshuar nga forcat ushtarake të Veriut.
Deklarata kërkon "marrjen e masave të përshtatshme dhe paqësore dhe dënimin e personave përgjegjës për incidentin".
Në incident humbën jetën 46 marinarë koreanojugorë.
Shumë vende, ndër të cilat Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Austria, Kanadaja dhe Suedia, e dënuan menjëherë sulmin dhe mbajtën një pozicion publik në mbështetje të Koresë së Jugut.
/e.v/