Gjirokastër, 9 Korrik, NOA – Një sherr mes dy familjeve të një pallati ka përfunduar keq, duke mbetur i lënduar njëri prej tyre dhe duke u bërë për t’u transportuar me barela drejt spitalit.
Ngjarja e rëndë mësohet të ketë ndodhur në lagjen “Kodra e Shtufit” të qytetit të Gjirokastrës, ndërsa policia siç bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA ka ndaluar dy personat e përfshirë në konfliktin e lartpërmendur.
Konkretisht, ata janë Rexhep Kalemi, 47 vjeç dhe Aleksandër Kalemi, 18-vjeç; që të dy lindur dhe banues në Gjirokastër.
Arrestimi i tyre u bë për arsye se gjatë një sherri në pallatin e tyre, mes familjes së Rexhep Kalemit dhe Panajot Qurkut, si rezultat i konfliktit dhe përplasjes fizike, ka mbetur i dëmtuar ky i fundit.
Ai tashmë është i shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, sipas konfirmimit te mjekut.
Nga ana e policisë i është dhënë ndihma e parë këtij personi duke e dërguar menjëherë në spitalin e Gjirokastrës si dhe kanë vijuar veprimet e tjera ligjore për zbardhjen e kësaj ngjarje, duke e shoqëruar në mjediset e policisë familjen Kalemi për veprime të mëtejshme.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë arrestimi në flagrancë i të lartpërmendurve, babë e bir për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, parashikuar nga neni 252 i Kodit Penal.
Gjithashtu, nga ana e prokurorisë po ndiqet në gjendje të lirë edhe bashkëshortja e Rexhep Kalemit, ndërsa materialet përkatëse iu kaluan asaj për veprime të mëtejshme.
n.e/NOA