Shkoder: Koncert Homazh Per 100-Vjetorin E Lindjes Se Nene Terezes
SHKODËR, 9 Korrik/ATSH-G. Marku/- Aktivitetet në kuadrin e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës kanë nisur sot pasdite me një koncert-homazh në skenën e teatrit "Migjeni", me pjesëmarrjen e korit "Nënë Tereza", Orkestrës së Harqeve, me dirigjente, Artisten e Merituar, Suzana Turku.
Zonja Turku, në cilësinë e zv/ministres së Turizmit, Kulturës, Rinise e Sporteve, duke përshëndetur pjesëmarrësit në sallë, ka nënvizuar vlerat e shenjtores shqiptare, e cila gjatë të gjithë jetës së saj përcolli ngrohtësi, zemërgjerësi e bujari në drejtim të njerëzve të varfër, të cilëve u shërbeu deri sa ndërroi jetë.
Artadashësit shkodranë, mes të cilëve kanë qënë edhe drejtuesit më të lartë të qeverisjes vendore, kanë duartrokitur gjatë interpretimin mjaft cilësor të solistëve Erion Gjyzeli, Lindita Kola dhe Isak Shehu, të cilët kanë përformuar në mënyrën më të mirë artistike.
Në program kanë qënë Ave Maria, Astor Piazzolla, Trombe e Harqe, këngët "Lule Borë", "Si dukat i vogël je", "N'at zaman t'asaj furie", "Kroi fshatit tonë", "Dy këngë shkodrane" etj, të cilat janë pritur mjaft mirë nga publiku. Krahas këtyre, në program perfshiheshin edhe "Stabat mater doloosa", "Culus animan gementen", "O quam tristis ef afficta", 'Santa malter, istud agas", "Quando corpus morietur" etj. /a.ke/