English

Spitali I Neurologjisë Merr Emrin E Prof. Dr. Bajram Prezës

TIRANË, 9 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Një nga Spitalet më të rëndësishem në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, ai i Neurologjisë, mori sot emrin e akademikut Bajram Preza. Prof. Dr. Bajram Preza e themeloi këtë shërbim në vitin 1978 dhe i përket atij merita që bëri të mundur ngritjen e polit të neuroshkencës në Shqipëri, pikërisht me neurologjinë, neurokirurgjinë dhe psikiatrinë. Vizionin për ngritjen e këtij shërbimi, ashtu sikurse funksionon edhe sot, Prof. Preza e ka pasur 40 vite më pare. Emra të tillë të mëdhenj në shëndetësinë shqiptare, dëshmojnë se sistemi është i ngritur mbi baza të forta, vlerësoi ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. "Sot i japim spitalit këtë emër të nderuar e të gjithëpranuar nga opinoni mjekësor dhe njëkohësisht të mësohemi të vendosim këto tulla në këtë mur të madh të mjekësise shqiptare, që kanë themel te forte. Dhe Prof. Bajrami ishte nje nga keta gur themeli", tha Vasili. Ndërsa e konsideroi nder për stafin aktual të këtij spitali mbajtjen e këtij emri të madh, Vasili si një student i Bajram Prezës ftoi stafin, që të punojë me përkushtim ashtu sikurse punonte profesori. "Nuk është një nder që keni këtë emër, por të jemi të nderuar që klinika mban emrin e Prof. Dr. Bajram Prezës", iu drejtua ai mjekëve të këtij spitali. Ndërsa drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi pohoi se ky spital mban peshën kryesore në vend për trajtimin e pacientëve me sëmundje neurologjike, ndërsa bëri të ditur se së shpejti këtu do të nisin investime të reja për rikonstruksionin e tij, të cilat do të rrisin shërbimin cilësor ndaj pacientëve. Sipas të dhënave nga ky spital, vjet u regjistruan 1000 raste të reja me sëmundje të kokës, krahasuar me vitin 2008. Vendin e parë e zënë shtrimet në spital nga hemoragjia cerebrale, ndërsa si sëmundje kronike epilepsitë. Nga 6 mijë raste të regjistruar vitin e kaluar, 3500 ishin konsulta mjekësore dhe 2500 shtrime. Sipas shefes së Pavionit të Neurologjisë, Jera Kruja, me gjithë rastet e reja, vendi ynë njihet si vend me incidencë stabël dhe me përhapjen e sëmundshmërisë në popullatë njësoj si në botë. /a.ke/
KOMENTE