English

Sport-Botëror/ "Afrika E Jugut 2010", Botërori I Taktikës Mbrojtëse

TIRANË, 9 Korrik/ ATSH-Gjergji Mima/.- Katër vjet pritje për të marrë disa përgjigje. Kupa e Botës shërben edhe për këtë, për të kuptuar tendencat e futbollit. Deri në vitin 1974 ishte e mundur të zbuloje diçka të re në lojën më popullore. Mbrojtja me katër lojtarë (Brazili në Zvicër '58), taktika 4-4-2 (Anglia në Botërorin 1966 e luajtur në shtëpi) apo futbolli total (Holanda në vitin 1974). Më tej, kur e kuptuan se nuk kishin më çfarë të "shpiknin", të gjithë u ulën të studionin mekanizmat e topit dhe nëpërmjet Kupës së Botës të vlerësonin se çfarë drejtimi merr futbolli. Zona mikse (Italia më '82), mbrojtja me tre (Gjermania më '90) dhe moduli 4-2-3-1 (Franca më '98). Leksioni i parë i marrë nga Afrika e Jugut 2010 është që sistemi i lojës me tre mbrojtës ka dalë nga moda. Kjo taktikë u përdor shumë pak nga Uruguai, Algjeria, Greqia, Zelanda e Re dhe Kili. Përveç tyre, dhe Koresë së Veriut që luante me pesë mbrojtës, pjesëmarrëset e tjera në Kupën e Botës 2010 janë rreshtuar në fushë me katër lojtarë në repartin difensiv. Të gjithë trajnerët kanë kërkuar të lënë sa më pak hapësira dhe synonin rifitimin e topit: gjithmonë duke shfrytëzuar presingun e organizuar, ku mesfusha vjen në ndihmë të mbrojtjeve. Kundërsulmet e shpejta pas rikuperimit të topit ishin dogma e vërtetë e këtij edicioni të botërorit, madje kjo mënyrë loje është përdorur edhe nga Brazili, një skuadër që tradicionalisht është mësuar të praktikojë një lloj tjetër futbolli. Skuadrat që e kanë interpretuar më mirë lojën bashkëkohore janë Holanda dhe Gjermania. Të dyja kanë përdorur skemën 4-2-3-1, filozofia fillestare ishte e njëjtë, ndërsa ndryshonin në momentin kur dilnin me kundërsulme të shpejta. Përjashtimet e vetme janë Argjentina dhe Spanja. Maradona tentoi të ndiqte utopinë: vetëm një mesfushor përpara katër mbrojtësve, dy mesfushorë ofensivë nga krahët, një gjysmësulmues i lirë për të lëvizur në të gjithë fushën dhe dy sulmues. Megjithatë, latinëve u ka munguar logjika në taktikë. Ndërkohë, Del Boske ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë filozofinë e Barcelonës: mbajtje e topit, qarkullim në zona të ngushta dhe dalje të papritura në sulm dhe presing mbi kundërshtarin që mban topin. Një ide që ka dhënë frytet e saj dhe që i dhuroi Spanjës finalen e parë në histori në Kupën e Botës./s.s./
KOMENTE