English

Sport-Botëror/ Spanjë - Holandë, Finalja E Futbollit Sulmues

TIRANË, 9 Korrik/ ATSH-Gjergji Mima/ - Holandë-Spanjë do të jetë një finale me një emërues të përbashkët, atë që bashkon dy pretendentët, futbolli sulmues, por i interpretuar në mënyra krejt të ndryshme. Holanda fokusohet te kualiteti i sulmuesve të saj përpara, Spanja mbështetet te manovra e fantazistëve të saj në mesfushë. Holanda e Van Marvijk nuk luan futbollin total, me të cilin në të kaluarën ka bërë historinë dhe jo vetëm në Holandë. As nuk dhuron spektakël, për të cilin dikush gjatë turneut ishte ankuar, duke e quajtur herezi! Por edhe futbolli i kësaj Holande ka prodhuar një finale, që mungonte prej 1978-s dhe që ka arritur edhe më parë më 1974-n dhe kurrë e kurorëzuar me titull. Jo vetëm: Holanda ka fituar të 6 ndeshjet e Botërorit të saj, dhe të 10 takimet e luajtura më 2010-n. Faktet i japin të drejtë. Por akoma edhe më shumë i japin mrekullitë e sulmuesve të saj, që garantojnë një futboll ofensiv në qëllim dhe interpretim. Po, sepse Van Marvijk me dy shkatërrues si Van Bomel e De Jong u kall datën atyre që luajnë futboll puro në mesfushën kundërshtare, por kështu mund t'i lejojë vetes të hedhë në fushë katër superlojtarë sulmi, që ditën të ndëshkojnë me kualitete të ndryshme. Është Roben. I ardhur nga një dëmtim, që dukej në ato momente se do të vinte në dyshim prezencën e tij në Afrikë, u tregua i duruar në fillim të turneut dhe tani u rikthye gradualisht dhe tashmë bën diferencën, me dy gola në fazën e eliminimit direkt. Është njeriu i dyluftimeve, një kundër një, i driblimeve të shpeshta dhe i superioritetit numerik. Në zonën e portës s'ka mëshirë. Pastaj është Kuijt, i cili nuk bie shumë në sy, por vrapon si i dënuar për 90 minuta, ku ta vësh (në të djathtë, në të majtë, deri edhe sulmues qendre) ndihet mirë, prodhon dhe jap shumë asiste për gol, sikundër Brazilit dhe Uruguait. Është dhe Van Persi. Ai ende duhet të dalë në pah, deri tani duket si një hije, por ka potencial për të shpërthyer në një ndeshje të vështirë, sepse talentin futbollistik nëna natyrë ia ka dhuruar me shumicë. Me 4 musketierët, Holanda mund t'i lejojë vetes, ose të paktën e ka bërë deri tani, edhe një mbrojtje dosido. Por me 12 golat e shënuar në 6 ndeshje duket se e nis gjithmonë 2-0. Shnajderi është shndërruar në mbret gjatë këtij viti. Çfarë ai prek bëhet suksesi i një skuadre dhe shpesh bën edhe gola personalë, nëse nuk i ecën me asistet. Me 5 gola dhe 4 trofe si njeriu i ndeshjes është vlerë e shtuar e skuadrës, e cila në Afrikën e Jugut ka të ngjarë të ketë avantazh numrin e madh të tifozëve. Interisti shuhet dhe rindizet në veçanti në momentet më delikate të sfidave kryesore. Kampionët e Europës, Spanja, do të luajnë për herë të parë një finale botërori. Edhe strategjia e tyre është sulmi. Por me metoda të kundërta, duke qarkulluar topin. Kanë "prestigjatorë" të topit në mesfushë Ksavin, Injiestën e Ksavi Alonson dhe në pankinë, gati kur të nevojitet, është gjithnjë Fabregas. Prandaj i sfilitin kundërshtarët me pasimet e pafundme, ia vjedhin iniciativën dhe kur "xhirojnë", e fshehin topin. Jo rastësisht kanë pësuar vetëm dy gola: për meritë që mbrohet më mirë duke sulmuar. Mban në dorë frenat e lojës dhe krijon aksione të rafinuara për të rrezikuar. Por mëkati i Spanjës është cinizmi, sidomos në sulm, sepse luajnë me një sulmues të vetëm, ngaqë Fernando Torres është jashtë forme. Si sulmuesi i vetëm quhet David Vija, i cili ka realizuar 5 gola në 6 ndeshje, golashënuesi i turneut. Në të njëjtën kuotë me kundërshtarin e ardhshëm, Shnajder. Por nëse nuk vijnë golat e blerjes së re të Barcelonës, në zonën e portës skuadra e Del Boskes dështon në konkretizimin e lojës së krijuar në 90 minuta. Në total ka shënuar vetëm 7, një më shumë se sa nga një gol për ndeshje. Holanda dhe Spanja nuk kanë fituar kurrë një botëror, deri tani. Koha ecën shpejt, pas tri ditësh vetëm njëra prej tyre do të festojë. Falë futbollit sulmues./s.s./
KOMENTE