English

Sport-Botëror/ Specialistët: Spanja Dhe Holanda E Meritojnë Finalen E Botërorit

TIRANË, 9 Korrik/ATSH-Gjergji Mima/ .- Botërori afrikano-jugor tashmë është në fazën e tij më të bukur, kur më 11 korrik do të caktohet fituesja e kompeticionit. Janë zhvilluar plot 62 ndeshje, të cilat kanë prodhuar emocione, zhgënjime, por edhe gëzime e suksese. Nën optikën e dy prej specialistëve tanë të futbollit, ish-trajnerit të Kombëtares, Medin Zhega dhe ish-lojtarit të Tiranës dhe përfaqësueses kuqezi, Bedri Omuri, Holanda finaliste e ka merituar plotësisht daljen në finale. "Ka qenë një Botëror i bukur, me plot surpriza të këndshme, të cilat i shtuan më shumë emocionet tek sportdashësit. Nuk pritej që ekipe që cilësoheshin pretendente për fitimin e Kupës si Brazili, Italia, Anglia, Argjentina, të eliminoheshin mjaft shpejt, por dolën në pah ekipe si Gjermania, Spanja, Holanda dhe Uruguai, të cilat kanë treguar se e meritonin daljen në fazën gjysmëfinale. Mund të them se ky Botëror ka pasur një dallim nga të tjetër, ku rasti i Holandës që tashmë është në finale, është i veçantë", është shprehur specialisti i futbollit, Mehdin Zhega. Sipas tij, "trajneri Van Marvijk ka formuar një skuadër që lojën e saj nuk e ka bazuar ashtu si tradicionalisht tek spektakli, por tek pragmatizmi. Në të gjitha ndeshjet e këtij Botërori skuadra holandeze ka zhvilluar një futboll racional, larg stilit të futbollit total, ashtu si në kohën e Johan Krujfit". "Për Spanjën mund të them fjalët më të mira. Ka një grup cilësor lojtarësh, të cilët janë të aftë të përsërisin suksesin e Evropianit, duke imituar mund të them Francën që fillimisht fitoi Kampionatin Evropian e më pas Botërorin. Ndërsa do të veçoja një fakt, që Kupa e Botës do të fitohet për herë të parë nga një skuadër evropiane jashtë kontinentit. Evropianët, me lojën e tyre të fortë, kanë bërë dallim këtë herë nga amerikano-latinët, të cilët preferojnë spektaklin"- analizon Kampionatin Botëror "Afrikë e Jugut 2010" ish-trajneri i Kombëtares, Medin Zhega. Specialisti i futbollit, Bedri Omuri, ish-mesfushori i 17 Nëntorit të atëhershëm (Tirana e sotme), jep opinionin e tij në lidhje me skuadrën e parë gjysmëfinaliste, Holandën, teksa shprehet se "ka qenë një Kampionat Botëror ku kemi parë dështimin e disa prej skuadrave më të mira si Brazili, Italia, Anglia, Franca, Argjentina deri diku, por edhe të yjeve si Ronaldo, Kaka, Runi, Mesi apo ndonjë tjetër. Nuk mund të them se ka qenë një Botëror spektakolar, pasi skuadrat më shumë kanë menduar për rezultatin sesa për lojën e bukur". Për sa i përket Holandës finaliste, shprehet Omuri, "është treguar një skuadër cinike në këtë Botëror, ku është parë që ka ardhur me mendimin për të fituar trofeun, jo për të dhënë spektaklin e zakonshëm. Në të gjashtë ndeshjet që ka zhvilluar skuadra holandeze, ka marrë maksimumin, me një lojë të kujdesshme, por me dy lojtarë që kanë bërë diferencën si Uesli Shnajder dhe Arjen Roben. Trajneri holandez ka një meritë të padiskutueshme për kalimin e Holandës në finale, pasi ka ditur të vendosë të gjithë lojtarët në pozicionet ku ata japin më të mirën e tyre. Gjithashtu, duke qenë se në përbërje ka shumë yje, ka ditur t'i mbajë larg euforisë dhe ka krijuar një ansambël harmonik. Ndërsa për finalen mund të them vetëm se, cilado skuadër që do ta fitojë, duhet të pranojmë se ka qenë më e mira"./s.s./
KOMENTE