English

Sport-Speciale/ Kupa E Botës, 19 Edicione Plot Emocione Dhe Pasion

TIRANË, 9 Korrik/ ATSH-Gjergji Mima/.- Të dielën, më 11 korrik, në "Soccer City" të Johanesburgut, me ndeshjen Holandë-Spanjë, do të luhet finalja e 19-të e kampionateve botërore, kompeticionit më të madh të futbollit në planet, qysh kur ai nisi rrugën plot 80 vjet më parë, në vitin 1930, e që kulmoi me finalen e fituar 4-2 të Uruguait ndaj Argjentinës. Qysh atëherë, në finalet e 19 kompeticioneve, përfshirë edhe këtë të Afrikës së Jugut, në finale kanë mbërritur 12 skuadra: Gjermania (7 herë), Brazili (7 herë), Italia (6 herë), Argjentina (4 herë), Uruguai (2 herë), Franca (2 herë), Çekosllovakia (2 herë), Hungaria (2 herë), Suedia (1 herë) dhe Spanja (1 herë). Nga këto 12 skuadra (pa përfshirë Spanjën), vetëm shtatë prej tyre e kanë fituar trofeun: Brazili, 5 herë (1958, 1962, 1970, 1994, 2002); Italia, 4 herë (1934, 1938, 1982, 2006), Gjermania, 3 herë (1954, 1974, 1990); Argjentina, 2 (1978, 1986); Uruguai, 2 (1930, 1950); Anglia, 1 (1966) dhe Franca, 1 (1998). Katër të tjerat, Holanda, Çekosllovakia, Hungaria dhe Suedia nuk kanë mundur të fitojnë, edhe pse Suedia e ka zhvilluar Botërorin e vitit 1958 në shtëpi. Në finalen e Botërorit të Afrikës së Jugut, një gjë është e sigurt, bota do të ketë jo vetëm një kampione të re, por dhe një komb të ri që i shtohet "panteonit" të kampionëve të mëdhenj, pasi si Holanda (dy herë finaliste e humbur, 1974 dhe 1978), ashtu dhe Spanja (në finalen e saj të parë), e kanë këtë mundësi. Fituesi i kësaj finaleje tërësisht europiane do t'i japë kontinentit plak edhe trofeun e 10-të, kundrejt 9 që ka fituar kontinenti i Amerikës së Jugut. Nga 76 kombet, që kanë luajtur të paktën një Kupë Bote, vetëm shtatë prej tyre e kanë fituar të paktën vetëm një herë. Ekipet fituese shtojnë një yll në stemën e tyre, dhe çdo yll përfaqëson një fitore në Kupën e Botës. Uruguai bën një përjashtim në këtë rregull të pashkruar, pasi në bluzën e tij ka vendosur katër yje, duke përfaqësuar dy medaljet në Lojërat Olimpike 1924 dhe 1928, si dhe dy titujt në Kupën e Botës, në vitin 1930 dhe 1950. Me pesë tituj, Brazili është ekipi më i suksesshëm në Kupën e Botës dhe i vetmi komb që ka luajtur në çdo Kupë Bote deri tani (19) dhe ai do të presë Kampionatin e 20-të Botëror të Futbollit, në vitin 2014. Italia (1934 dhe 1938) si dhe Brazili (1958 dhe 1962) janë dy vendet e vetme që kanë fituar dy tituj rresht. Gjermania (1982-1990) dhe Brazili (1994-1990) janë dy kombet e vetme që kanë dalë në tri finale rresht. Gjermania është e vetmja skuadër që ka dalë më shumë në top-4, 12 herë./s.s./
KOMENTE