Prishtinë, 9 Korrik, NOA – Pasi është vlerësuar me titullin “Honoris Causa” sot në universitetin e Prishtinës, ish-kryeministri britanik Toni Bler ka pohuar se ndihet i nderuar që merr këtë nderim në një vend me të cilin ka pranuar se ka një marrëdhënie të veçantë.
“Kur kam ardhur këtu për herë të parë, ky vend përballej me sfidat e pavarësisë, ndërsa tani është një atmosferë e re dhe mjaft e ngrohtë”, ka deklaruar ai, duke thënë se edhe pse në vitin ‘99 nuk diheshin përfundimet e vendimeve që u morën në kuadrin e asaj lufte të rëndë, pasojat e tyre shihen qartë.
Ai ka garantuar se megjithëse nuk e drejton më Britaninë, vendi i tij do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës, sot dhe përgjithmonë.
Sipas tij, në Kosovë tani sheh ndryshimin dhe atë çka bota ëndërroi të shuante gjatë konfliktit të madh.
Ish-kryeministri britanik, Toni Bler, ndodhet që dje në Prishtinë për një vizitë 2-ditore në vendin të cilin e ndihmoi mjaft gjatë konfliktit ushtarak në vitin 1999 me Serbinë.
Ftesa për këtë vizitë Toni Blerit iu bë nga vetë kryeministri Hashim Thaçi, ai po takohet gjatë qëndrimit të tij në Kosovë me zyrtarët e lartë të këtij vendi.
Universiteti i Prishtinës e ka nderuar sot atë me çmimin “Doctor Honoris Causa”, ndërsa kjo do të jetë vizita e tij e dytë në Prishtinë që nga përfundimi i luftës më 1999.
Në fund të mandatit të tij si kryeministër i Britanisë, Toni Bler kishte thënë se besonte që Kosova ishte ndër sukseset më të mëdha të karrierës së tij.
n.e/NOA