English

Ursula Mannel:"Legjislacioni Shqiptar Kundër Krimit Është Më I Avancuar Se Në Vende Të Tjera Të Europës"

TIRANË, 9 Korrik/ATSH/.- "Legjislacioni shqiptar në luftën kundër krimit dhe trafikut të qenieve njerëzore është më i avancuar sesa në shumë vende të tjera në Europë", tha sot Ursula Mannel, anëtare e Parlamentit të Landit të Bavarisë dhe zv/Presidente e Fondacionit 'Hanns-Seidel' gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Zv/Presidentja Mannel tha se gjatë vizitës së saj të parë në Tiranë u ndje e surprizuar nga arritjet, imazhi dhe ndjesia pozitive që të përcjell Shqipëria. Kryetarja e Kuvendit, duke vënë në dukje punën e parlamentit gjatë kësaj periudhe, tha se në kuadër të luftës kundër trafikimit janë miratuar shumë ligje si ai për "Moratoriumin e mjeteve të lundimit", ligji 'Antimafia' dhe ai i "Mbrojtjes së dëshmitarëve', si dhe ligje të tjera të karakterit social për mbështetjen dhe ndihmën financiare ndaj viktimave të këtij biznesi barbar, që shpesh janë gratë dhe fëmijët. "Kemi një rënie të madhe të trafikimit, evidentuar në çdo raport ndërkombëtar, por jemi të ndërgjegjshëm për të mos e humbur asnjëherë vigjilencën për këtë sfidë, që në një mënyrë apo tjetër prek të gjitha vendet", u shpreh Topalli. Dy zyrtaret shprehën angazhimin për rritjen e bashkëpunimit mes parlamentit shqiptar dhe parlamentit të Landit të Bavarisët, i cili drejtohet gjithashtu nga një grua./a.s/s.s./
KOMENTE