Vlorë-Bosch: Të Gjendet Kompromisi Mes Palëve Politike
Vlorë, 9 korrik/ATSH-H.Koçi/.- "Palët duhet të ulen të gjitha së bashku dhe të arrijnë një kompromis", deklaroi sot nga Vlora, Ambasadori i Prezencës së OSBE në Shqipëri, Robert Bosch.
I pranishëm në Forumin "Vlora për Dialog International- Evropa ndërmjet meje dhe teje", organizuar nga Fate Velaj, ambasadori Bosch u shpreh se "duhet të gjenden pika për bashkëpunim dhe kompromis dhe jo pika ku ndryshojnë".
"Unë nuk jam përfaqësues i Bashkimit Europian, por kam lexuar deklaratën e Parlamentit Evropian dhe mesa unë e kuptoj, në të bëhet thirrje për një bashkëpunim midis partive politike dhe kjo duket rruga e vetme", tha ai.
Duke folur për demokracinë, Bosch tha se "që një demokraci të zhvillohet dhe të funksionojë, duhet të ndodhë në të gjitha nivelet, si në nivel Parlamenti, edhe bashkie. Duhet që palët të ulen të gjitha së bashku dhe të arrijnë një kompromis. Kjo fjalë e shpjegon që duhet arritur në një pikë të përbashkët dhe nuk duhet arritur në një pikë që çdo palë mund të mbetet e lumtur nga ajo çka mund të arrihet".
Sipas kreut të Prezencës së OSBE në Tiranë, ky është parimi i përgjithshëm i një demokracie, që të gjitha palët të ulen së bashku dhe të arrijnë kompromisin.
Ndërsa shprehu këndvështrimin e tij, Bosch tha se "nëse nuk është e mundur që të arrihet një kompromis, atëherë është e mundur që maxhoranca vendos, pasi është shumica. Megjithatë duhen bërë përpjekje për kompromis".
Duke ju përgjigjur pyetjes së gazetarëve se nëse ai vetë mendon se mazhoranca mund të vendosë edhe pa opozitën, Ambasadori Bosch u shpreh se "po flasim parimisht se si duhet të funksionojë një demokraci, nuk po flasim për çështje specifike dhe megjithatë unë e thashë që mazhoranca në një sistem demokratik mund të vendosë, por gjithashtu përmenda se duhet të ketë një kompromis, duhet të ketë një bashkëpunim dhe një dialog midis palëve".
Në këtë kontekst, ai përcolli edhe një herë mesazhin e tij të gjetjes së një kompromisi.
Bosch bëri një prezantim të historisë së OSBE, duke u ndalur konkretisht në mënyrën e funksionimit të këtij institucioni të rëndësishëm. Duke u ndalur në mënyrën e funksionimit në vendin tonë, ai sqaroi se OSBE funksionon përmes katër zyrave që janë të shpërndara në vend, ndërsa shprehu mendime në lidhje me çështje të tilla si pronat, organizmat joqeveritarë në vendin tonë, apo situatën politike.
"OSBE, përbëhet nga 56 shtete anëtare, ndërkohë që, në Shqipëri funksionon prej vitit 1997 dhe aktualisht punon në parneritet me qeverinë shqiptare, për të përforcuar institucionet shtetërore, sistemin demokratik dhe për të nxitur dialogun mes palëve, në mënyrë që të krijohet besim në këto institucione", u shpreh Bosch.
Sipas tij, "në përmbushje të qëllimit të saj të përgjithshëm, Prezenca fokusohet në reformën legjislative, në reformën gjyqësore, pronës, asaj administrative, rajonale, zgjedhore, në rritjen e kapaciteteve kundër trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit, në hartimin e ligjeve për një media të pavarur, në promovimin dhe menaxhimin e qeverisjes dhe projekteve të synuara në ndihmë të shoqërisë civile".
Në kuadër të këtij forumi, gjatë këtij viti në qytetin e Vlorës kanë qenë edhe ambasadorët Helmuth Lohan, Bernd Borchardt, Manuel Montobio. /e.ç//n.m/