English

Anëtarësimi I Afert I Kroacisë Në Be, Një Portë E Hapur Më Shumë Për Shqipërinë Dhe Vendet E Rajonit

- Theksoi Kryeministri Berisha në takimin me Kryeministren e kroacisë, Jadranka Kosor - TIRANE, 10 Korrik/ATSH/.- Kryeministri Berisha vlerësoi sot gjatë takimit me Kryeministren e Kroacisë, znj. Jadranka Kosor, në Dubrovnik, në Samitin "Europa Juglindore, përballja me sfidat globale", se anëtarësimi i afërt i Kroacisë në BE është një portë e hapur më shumë për Shqipërinë dhe vendet e rajonit që ndajnë të njëjtat aspirata. Zyra e shtypit e Kryeministrit bëri të ditur se Kryeministri Berisha e falënderoi znj. Kosor për ekspertizën e dhënë nga pala kroate në procesin e përgatitjes së përgjigjeve për Pyetësorin e Komisionit Evropian dhe theksoi se "Kroacia është një rast model për një proces integrimi në Bashkimin Evropian". Zonja Kosor e siguroi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e Kroacisë për Shqipërinë në këtë proces dhe e falënderoi Kryeministrin Berisha për pjesëmarrjen në Samitin e Dubrovnikut, më i rëndësishmi i mbajtur në Kroaci vitet e fundit. Gjatë takimit, zonja Kosor nënvizoi marrëdhëniet shumë të mira mes Kroacisë dhe Shqipërisë, si dhe e vlerësoi këtë takim si një mundësi shumë të mirë për forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ekonomike. Ajo vuri theks të veçantë në mundësitë e kompanive kroate në fushën e ndërtimit të infrastrukturës, si dhe turizmit. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet dypalëshe dhe nevojën e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe bëri një ekspoze të mundësive për pjesëmarrje të kompanive kroate në projektet e infrastrukturës, përfshirë ato rrugore, portuale dhe energjetike. Kryeministri Berisha e falënderoi Kryeministren Kosor për heqjen e përkohshme të vizave nga Kroacia për shtetasit shqiptarë. Në takim u diskutua edhe për vizitën e ardhshme të Kryeministres Kosor në Shqipëri. /s.s./
KOMENTE