Berisha: Samiti I Dubrovnikut Konfirmoi Mbështetjen Për Perspektivën Europiane Të Shqipërisë
- Prononcim i Kryeministrit Berisha dhënë për mediat e pranishme në Samitin e Dubrovnikut -
TIRANË, 10 Korrik/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se, "pjesëmarrësit në Samitin e Dubrovnikut shprehën vizionin e tyre në mbështetje të perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe të rajonit".
Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, pas përfundimit të ditës së parë të punimeve të Samitit të Dubrovnikut, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesit të medias së pranishme në këtë aktivitet, mbi rëndësinë e këtij samiti për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit.
Kryeministri Berisha vlerësoi se, "Samiti i Dubrovnikut është një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm, duke pasur parasysh edhe pjesëmarrjen e kryetarëve të qeverive të vendeve anëtare të BE-së".
"Të gjitha janë vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe u shprehën qartë për perspektivën e sigurt evropiane të Shqipërisë, në mënyrë eksplicite Kryeministri i Francës, por dhe të rajonit në përgjithësi. Mendoj se ky takim ishte shumë i dobishëm, sepse këtu shkëmbehen pikëpamjet për të gjithë problematikën që ekziston në vende dhe në rajon, si dhe krijohet një kuptim më i qartë dhe më i mirë për të gjitha zhvillimet", tha Berisha.
I pyetur mbi bojkotin që i bëri Serbia Samitit të Dubrovnikut pas pjesëmarrjes së Kosovës në të, Kryeministri Berisha u shpreh se, "kjo gjë nuk duhet të ndodhë". "Ideali evropian duhet të jetë ideal udhëheqës për kombet tona dhe këto nuk pajtohen me mosdialog apo me qëndrime përjashtuese. Në këtë kontekst uroj dhe dëshiroj që këto praktika të marrin fund sa më shpejtë", tha ai./m.m//a.ke/