English

Biblioteka Kombëtare, 90 Vjet Histori Dhe Kulturë Letrare

TIRANA, 10 Korrik/ATSH - Gjergji Mima/ - Biblioteka Kombëtare shënoi sot 90-vjetorin e krijimit të saj, kremtim që do të vijojë në 3 muajt në vijim me disa aktivitete shkencore dhe kulturore në fushat e librit, arkivit të tij dhe botimeve. Ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferraj i pranishëm në ceremoninë e organizuar me këtë rast, tha se "Biblioteka madhore kombëtare qëndron e vendosur në memorien kombëtare, jo vetëm si institucion i kujtesës, por edhe si tempull i ruajtjes së vlerave më të spikatura shpirtërore, historike dhe intelektuale të shoqërisë sonë dhe më gjerë", u shpreh Xhaferri. "Ndërsa Shqipëria, lidhur me proceset integruese, ndodhet në paradhomën e Integrimit Evropian, Biblioteka Kombëtare ka shkuar më tej. Ky 90-vjetor e gjen këtë institucion si një pjesë integrale të kulturës dixhitale evropiane dhe botërore", tha ai. Si zhvillime jo thjesht mekanike, produkti më kryesor i tyre mbetet përqasja e lirë në informacion, që dimensionon një nga arritjet më të mëdha demokratike të shoqërisë sonë. Duke pranuar që Biblioteka Kombëtare ka edhe problematikat e saj, që nuk mund të zgjidhen brenda këtij viti, për të krijuar më shumë hapësira për librat dhe lexuesin, Xhaferri tha se "brenda këtij 6 mujori të krijojmë hapësira të tjera për lexuesin edhe librin", ndërsa bëri të ditur se ministria e Kulturës po konkretizon në ligj premtimin e Kryeministrit për të krijuar Qëndrën Kombëtare të Dixhitimit të librit, të atashuar pranë Bibliotekës. Nisur nga fakti se shumë institucione të tjera janë atashuar pranë BKSh, nën kujdesin e qeverisë ka nisur të konceptohet një strukturë e re më funksionale dhe efektive për bibliotekën. Biblioteka Kombëtare është e sistemuar në rrjetin evropian të bibliotekave dhe për ministrin e Kulturës, "vlera e kësaj arritje qendron tek përqasja që Biblioteka ka krijuar drejt informacionit". Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari theksoi faktin se me rastin e 90 vjetorit të Bibliotekës Kombëtare, gjatë 90 ditëve në vijim do të ketë dy ekspozita "Shqipëria vend shenjtorësh" në muajin gusht dhe "90 raritete në Bibliotekën Kombëtare", në muajin tetor. Gjithashtu në shtator do të organizohen simpoziumi shkencor për Marlin Barletin "Historia e Skënderbeut në 500-vjetor" dhe konferenca ndërkombëtare e bibliotekonomisë, "Bibliotekat në mjedisin dixhital". Në nëntor do të zhvillohet "Konferenca Kombëtare e Bibliotekonomisë, edicioni 5-të (Shqipëri - Kosovë)". Në muajin shtator pritet të nënshkrohet marrëveshja e përfshirjes së Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në projektin global, "Biblioteka Dixhitale Botërore" mes drejtorit të saj Aurel Plasari dhe James Billington, Drejtor i Bibliotekës së Kongresit (SHBA). Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë e themeluar në korrikun e vitit 1920, përfaqëson institucionin e parë kulturor-shkencor të shtetit shqiptar. Ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit, Tiranë. Në fillesat e ekzistencës së saj ajo zotërornte një inventar prej rreth 6.000 vëllimesh. Mbas vitit 1920 u bënë përpjekje për pasurimin e këtij fondi, si dhe për rioroganizimin e bibliotekës si institucion kombëtar, ku falë kontributit të jashtëzakonshëm të drejtorit të saj, Sotir Kolea, Biblioteka u pasurua me disa mijëra tituj librash mes tyre, mjaft të rrallë në shqipen e vjetër. Mbarimi i Luftës së dytë botërore e gjeti BKSh me një koleksion prej 15.000 vëllimesh. Në fund të vitit 1947 fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime. Ngjarje me rëndësi për BKSh, por dhe për kulturën kombëtare, ishte dalja më 31.05.1948 e dekretit "Mbi dërgimin e detyrueshëm të shtypshkrimeve Bibliotekës Kombëtare", sipas të cilit asaj i dërgoheshin falas një numër ekzemplarësh të çdo shtypshkrimi të vendit. Fondi i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, institucioni kryesor i librit në vend, ruan një pasuri me dorëshkrime, antikuare, por edhe riprodhime të ekzemplarëve nga më të rrallët ndër shekuj, të cilat pasqyrojnë rrugëtimin e gjuhës shqipe, alfabeti i sotëm i së cilës u zyrtarizua 100 vjet me parë në Kongresin e Manastirit./n.m/
KOMENTE