Civici: Amnistia Fiskale E Domosdoshme, Pritet Te Çlirohen Rreth 2 Miliardë Euro
-Deklaron për ATSH-në eksperti i ekonomisë, Adrian Civici-
TIRANE 10 Korrik/ATSH-A.Gjonaj/- Eksperti i ekonomisë, njëkohësisht rektor i Universitetit Europian të Tiranës, Prof.As.Dr Adrian Civici, në një intervistë për ATSH-në, deklaroi se në kushtet ku ndodhet vendi sot për shkak të efekteve të krizës ekonomiko-financiare globale, është e domosdoshme ndërmarrja e një amnistie fiskale.
Ai vlerëson se nga kjo amnisti pritet të çlirohen deri në 2 miliardë euro.
E rëndësishme është sipas Civicit, që sikurse janë praktikat për të gjithë amnistitë fiskale, ajo të bëhet sa më e plotë dhe të jetë e qartë, me qëllim, që të nesërmen e amnistisë fiskale, një pjesë dërrmuese e bizneseve të formalizohen dhe të futen në rrjedhën normale të ekonomisë dhe transparencës, në të gjithë marrëdhëniet korrekte të sistemit tatimor apo doganor, apo gjithe sistemin e taskave dhe tatiemve dhe detyrimeve që kemi në Shqipëri.
Legalizmi dhe amnistia fiskale mund të jetë një faktor që të bëjë legale pasuritë e patundshme, duke lehtësuar ndjeshëm edhe gjithë funksionimin e sistemit bankar dhe atë të kolateralit.
ATSH: Përse e gjykoni të nevojshme ndërmarrjen e një amnistie fiskale?
Debatet për amnistinë fiskale kanë filluar që në fund të vitit 2009 dhe me intensitetin që u zhvillua, me angazhimin e gjithë palëve të interesuara u duk sikur vendimi për aministinë fiskale që është e domosdoshme do të ishte i shpejtë.
Në fakt jemi në korrik të vitit 2010 dhe akoma pritet një p/ligj nga qeveria për t'a filluar si proces. Biznesi ka qënë ai që e inicioi këtë nismë dhe u angazhuan shumë dhomat e tregtisë, sidomos ajo e Tiranës, e cila ishte në krye të procesit. U bënë mjaft konsultime me shoqërinë civile, grupet e interesit, botën akademike apo eksperte te veçantë, përveç faktit që një pjesë e politës dukej e angazhuar për ta realizuar këtë proces dhe normalisht ky proces duhej të ishte përfunduar.
Është e nevojshme ndërmarrja e një amnistie fiskale për dy arsye, për shkak të situatës ekonomike në të cilën gjendet Shqipëria sot, aq më tepër që kjo situatë me efekte shumë të mëdha nga kriza ekonomiko-financiare botërore, por edhe për shkak të problemeve tona të brendshme. Kjo situatë kërkon një çlirim kapitalesh dhe në rastin e Shqipërisë çlirimi i kapitale apo amnistia fiskale nuk mund të jetë amnisti fiskale për të legalizuar apo pastruar disa para, apo për të shpresuar ardhjen e parave që janë jashtë.
Mendoj që efekti më i madh është formalizmi i aseteve ku ne kemi sidomos pasuri të patundshme dhe pjesë të rëndësishme të biznesit, të cilat akoma punojnë në informalitet për arsye që e kanë fshehur biznesin e tyre, apo punojnë në informalitet, sepse ashtu e kanë nisur procesin dhe asnjëherë nuk kanë mundur të formalizohen, pra duke ndarë ekonominë gri nga ajo e zezë. Gjithsesi në një ekonomi informale, mendoj se në rastin e Shqipërisë pjesa më e madhe e amnistisë fiskale është formalizimi i aseteve, përfshirë dhe pasuritë e paluajtshme, ku dominojnë banesat për një pjesë të madhe të popullsisë që akoma kanë probleme me legalizimin.
Nga ana tjetër, natyrisht që amnistia fiskale çliron dhe një pjesë kapitalesh që do të jenë individuale apo të biznesit, justifikon dhe fut në qarkullim një pjesë të të ardhurave, të cilat mund të jenë të bllokuara apo të patreguara sepse origjina e tyre jo gjithmonë mund të jetë kriminale që mund të kenë ardhur nga droga ose nga aktivitete të tjera ilegale, por mund të jenë para të vëna nga rrugë të tjera informale dhe është e pamundur që t'a deklarosh.
Së treti, është drejtimi i parave që vijnë nga jashtë. Shumë fitime apo kursime janë depozituar jashtë në pamundësi për të justifikuar futjen e tyre në Shqipëri dhe besoj se amnistia fiskale edhe këtë kategori do t'a lehtësojë që të vijë.
Një fakt. Shumë nga bankat sot përdorin si kolateral për kredinë pasuritë e paluajtshme. Duke patur parasysh problematikën që ka ligji i pronave në Shqipëri, shpesh komplikon gjithë marrëdhëniet me bankat, si pasojë e paqartësive juridike që kanë pasuritë e patundshme.
Legalizmi dhe amnistia fiskale mund të jetë një faktor që të bëjë legale gjithe këto pasuri të patundshme, duke lehtësuar ndjeshëm edhe gjithë funksionimin e sistemit bankar dhe atë të kolateralit. (vijon)/n.m/