English

CRCA: Vrasja e nënës në sy të fëmijëve, një akt makabër

Tiranë, 10 Korrik, NOA – Vrasja tragjike e Margarita Leklucajt nga bashkëshorti i saj, në sy të dy fëmijëve të mitur 6 dhe 3 vjeç, përbën një ngjarje makabre që duhet të na bëjë të gjithëve të mendojmë seriozisht se sa pak vlerë ka sot në vendin tonë jeta e njeriut.

Kështu është prononcuar në një deklaratë të posaçme për shtyp, Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, pas lajmit tragjik për vrasjen e një nëne në sytë e fëmijëve të saj nga babai i tyre.

“CRCA i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe mendon me trishtim për fatin e dy fëmijëve të mitur të cilët do të duan tashmë një trajtim të veçantë dhe profesional për të kapërcyer në mënyrë të shëndetshme traumën që do t’i shoqërojë, për fat të keq, gjatë gjithë jetës së tyre”, pohon deklarata.

Duke cituar më pas se “është e trishtueshme të konstatosh se sa pak të trajnuar janë efektivat e policisë për të trajtuar çështje të tilla”.

“Me dhimbje konstatojmë se ngjarje të tilla ndodhin pikërisht kur policia nuk reagon dhe nuk është e trajnuar. Si mundet që me ato mosmarrëveshje që kishin me njëri-tjetrin, polica të vendoste që viktima të rikthehej në shtëpi?”, apelojnë drejtuesit e CRCA.

“Ja çfarë ndodh kur shërbimet sociale dhe strehëzat mungojnë në vend! Ky është një dështim i të gjithë shtetit dhe shoqërisë civile në Shqipëri”, pohojnë më tej ata.

Duke kujtuar në fund se në datën 26 korrik, Shqipëria do të raportojë në Nju Jork në lidhje me masat që ka ndërmarrë në kuadër të Konventës për Eliminimin e çdo forme të Diskriminimit të Grave dhe Vajzave (CEDAV).

“Edhe Amnesty International raportin e fundit të saj për Shqipërinë ia kushton domosdoshmërisë së zbatimit të Ligjit Kundër Dhunës në Familje, por mesa duket do të na duhet të jemi me dhimbje dëshmitarë të ngjarjeve makabre të tilla ende edhe për shumë kohë, derisa të gjithë të kuptojmë se ka ardhur koha të veprojmë e t’i themi ndal dhunës në familje”, përfundon deklarata në fjalë.

n.e/NOA

KOMENTE